Hiqet qafe skulptura “pornografike”

18/10/2017 14:10

Shumë e ekzagjeruar për “Louvre”-n. Nën këtë pretekst, muzeu më i vizituar në botë ka hequr qafe një skulpturë që mund të cilësohet edhe provokuese, por Qendra “Pompidou” aty afër mendoi se njerëzit duhet të vendosnin vet.

“Domestikator” (zbutësi), 12 metra i lartë, një krijim i artistit holandez Joep van Lieshout, fillimisht u mendua të vendosej në kopshtet “Tuileries” të shekullit të XIII, pranë muzeut të “Louvre”-t, si pjesë e panairit të artit bashkëkohor këtë muaj. Por skulptura gjeometrike, që tregon një figurë njerëzore të kuqe që duket se penetron një krijesë me 4 këmbë, ishte mesa duket më ekscentrike se ç’duhej për shtëpinë e artit francez.

“U habita për faktin që muzeu i ‘Louvre’-it refuzoi ta ekspozonte skulpturën dhe më pas u zhgënjeva, pasi nuk m’u dha mundësia të shpjegoja idetë e mia për publikun. Unë nuk e shoh atë si shumë seksuale”, tha Joep van Lieshout, artist holandez.

Mediet lokale thanë se “Louvre”e kishte marrë këtë vendim pas një vale komentesh negative në mediet sociale, e frikës nga reagimi i ekspozimit në një vend publik. Skulptura e bërë me hekur, dru dhe fibra xhami, tani është ekspozuar në shkallaren jashtë Qendrës “Pompidou”.

“Pornografik, i papërshtatshëm. Fatkeqësisht të dyja këto i sheh ngado, por jo në këtë vepër arti. Kjo vepër është thjesht e këndshme, është një nyje e rëndësishme në marrëdhënien mes abstraksionit dhe artit figurativ, që bashkëjetonin në artin holandez në shekullin XX”, tha Bernard Blistene, drejtor i muzeut në Qendrën “Pompidou”.

E ekspozuar prej 3 vitesh në Bochum të Gjermanisë, skulptura nuk kishte ndezur asnjë polemikë deri më tani. Autori këmbëngul se puna e tij ishte frymëzuar nga zbutja e kafshëve prej njerëzve për qëllime bujqësore, por edhe nga nxjerrja në pah e problemeve etike që e rrethojnë atë.

Nuk është hera e parë kjo, që panairi ndërkombëtar i artit bashkëkohor në Paris vihet në qendër të një skandali artistik seksual. Në vitin 2014, vandalët sulmuan një vepër gjigante në një prej shesheve më të famshme të qytetit, për shkak të ngjashmërisë me një lojë seksi, që zemëroi shumëkënd. Asokohe, kryebashkiakja Anne Hidalgo tha se incidenti ishte një sulm i papranueshëm për lirinë artistike.

Top Channel