Femrat, hashtag kundër dhunës seksuale

18/10/2017 05:00

Femra të famshme dhe të thjeshta, nga e gjithë bota, janë “derdhur” në “Twitter” për të denoncuar ngacmimet dhe sulmet seksuale nën hashtagun #metoo (edhe unë), duke iu bashkuar aktores Alisa Milano, e cila të dielën bëri apel për veprim.

Hashtagu është bërë viral dhe mund të shihet në platforma të ndryshme të medies sociale, ndërkohë që nismës i janë bashkuar aktore, personalitete të kulturës dhe politikanë.

Drejtuesja e “talk show”-t, Ellen deGeneres, këngëtarja Lady Gaga, aktoret Kerry Washington dhe Reese Witherspoon janë mes personaliteteve që postuan në “Twitter” #metoo.

Senatorja kaliforniane, Kamala Harris shkruajti: Ju falënderoj të gjithave për kurajon. Të gjitha viktimave të ngacmimeve të tilla ju them: nuk jeni vetëm!

Përdorues të panumërt të “Twitter”-it kanë ndarë eksperiencat e tyre në një lëvizje “online”, që ka si qëllim të frymëzojë viktimat e agresioneve seksuale që të mos turpërohen dhe të hedhin dritë mbi përmasat e fenomenit.

Hashtagu ishte një reagim ndaj akuzave kundër manjatit të filmave, Harvey Weinstein, që sidoqoftë mohon të ketë pasur marrëdhënie jo konsensuale seksuale me këdo. Shumë gra kanë thënë se Weinstein i ka ngacmuar, apo sulmuar seksualisht ato, në incidente që datojnë që nga vitet ’80.

Top Channel