Weinstein, zgjerohet skandali

13/10/2017 00:00

Shpërthimi i skandalit të Harvey Weinstein po prek edhe meshkuj të tjerë në Hollivud. Disa përdorues të Twitterit kërkojnë që Ben Affleck të mos e interpretojë më Batmanin dhe kjo vetëm një muaj përpara debutimit të “Ligës së drejtësisë”.

Arsyeja janë lidhjet e tij me manjatin e turpëruar hollivudian, por edhe akuzat se dhe vetë aktori i pashëm ka pjesën e vet të ngacmimeve. Ben kërkoi ndjesë për faktin që në 2003-shin i ka prekur gjoksin një kolegeje, Hilarie Burton, një incident ky i  regjistruar në kamera.

Ama ky nuk është episodi i vetëm për të cilin akuzohet. Edhe artisja e makeup-it Annamarie Tendler foli për sjelljen e pahijshme të Affleck ndaj saj në festën e Golden Globe në 2014-tën. Matt Damon dhe Russel Crow gjithashtu thuhet të kenë mbuluar bëmat e producentit, ndërsa Brad Pitt kritikohet që nuk e denoncoi veprimin e tij, kur mori vesh se i kishte ngacmuar të fejuarën e atëhershme, Guineth Paltrow.

Affleck u tërhoq në vorbullën e akuzave të rënda ndaj Ëeinstein pasi aktorja dhe aktivistja Rose McGowan deklaroi se ai po gënjente kur thoshte se nuk kishte qenë në dijeni të veprimeve të manjatit të filmit. Ishte pikërisht 65-vjeçari ai që ndihmoi të niste karriera e aktorit në 1997 më filmin “Good Will Hunting”.

Weinstein tani përballet jo vetëm me shkatërrimin e karrierës së vet, shembjen e martesës dhe valën e indinjatës që shtohet dita-ditës, por edhe me hetimet e çelura prej policisë amerikane e asaj britanike për agresion seksual, të lidhura me një episod që daton që në vitet 1980 e të tjera në 2004-tën.

Top Channel