Kur takohen dy “të fortë”

13/10/2017 00:00

Steven Seagal është padyshim një person kundër rrymës. Nëntorin e një viti më parë, ai mori pasaportën ruse, duke thënë se shpresonte që gjesti i tij t’i vinte në ndihmë marrëdhënieve të tensionuara Moskë-Uashington.

Tani zgjodhi të takohet me Rodrigo Duterten, pikërisht në kohën kur presidenti filipinas është vënë në shënjestrën e kritikave të ashpra mbi luftën e tij famëkeqe kundër drogës, që ka marrë me mijëra jetë njerëzish, përfshirë edhe dhjetëra fëmijë të përshkruar nga Duterte si “dëm anësor”.

Takimi u zhvillua në pallatin presidencial në Manila. Pamjet filmike të transmetuara nga kanali shtetëror “RTVM” tregojnë sesi aktori i njohur i filmave aksion bisedon shumë përzemërisht me kreun e shtetit filipinas.

Një deklaratë e lëshuar më vonë nga zyra e shtypit të presidentit sqaronte se, Duterte ka folur mbi qëndrimin e tij ndaj drogave të paligjshme, por pastaj i ka dhënë bisedës tone më të çlirta, kur i ka treguar Seagalit sesi kishte marrë dikur leksione karateje.

Aktori, njëkohësisht specialist i arteve marciale, po kërkon në Filipine një vend të përshtatshëm për xhirimet e filmit të ri të tij, i cili do të ketë për subjekt lëndët e paligjshme narkotike dhe krime të tjera.

Top Channel