Nisin hetime në SHBA dhe Angli ndaj producentit duargjatë

12/10/2017 00:00

Producenti i tmerrshëm i “Hollywood”-it, Harvey Weinstein do të vihet në shënjestrën e hetimeve të policisë amerikane dhe asaj britanike.

Departamenti i Policisë së Nju Jorkut do të shqyrtojë pretendimet për abuzime seksuale nga viti 2004 dhe do të përcaktojë nëse ka akuza të tjera shtesë. Ndërsa policia londineze do të hetojë pretendimet për një sulm seksual në kryeqytetin anglez, në vitet ’80.

Producenti, i cili qëndron pas filmave të suksesshëm si “Shakespeare in Love” apo “Malena” ka mohuar çdo pretendim për marrëdhënie seksuale jokonsensuale. Hetimet nisin ndërsa gjithnjë e më shumë gra po e akuzojnë publikisht Weinsteinin për sjellje të papërshtatshme, shantazhe apo sulme seksuale.

Aktorja britanike Kate Beckinsale është e fundit në listë, duke thënë se kishte pasur një takim me të në moshën 17-vjeçare në hotelin “Savoy” në Londër. Protagonistja e “Serendipity” apo “Underëorld” pohoi në rrjetin social “Instagram” se i ishte thënë të shkonte në dhomën e tij, ku producenti e kishte hapur derën me robdishambër.

“Pasi refuzova pijen alkoolike që më ofroi, e i thashë se duhet të shkoja në shkollë të nesërmen, u largova. E shqetësuar, por e padëmtuar”, ishin fjalët e aktores.

Modelja Cara Delevingne rrëfeu gjithashtu se ishte përpjekur ta puthte, teksa ajo po largohej nga një dhomë hoteli. Ndërkohë, organizatorët e ceremonisë “Oscar” do të mbajnë një mbledhje emergjente për të marrë në konsideratë rolin e ardhshëm të manjatit të filmave. Akademia e Filmit, Artit dhe Shkencës tha se, akuzat kundër Weinstein ishin mbërthyese. “Bafta”, Akademia britanike e Filmit, Televizionit dhe Arteve e ka pezulluar tashmë anëtarësinë e tij.

Top Channel