Të gjithë kundër producentit

10/10/2017 00:00

Bordi drejtues i “Weinstein Co.” e shkarkoi menjëherë manjatin e turpëruar të filmit, njëkohësisht bashkëkryetar të saj, Harvey Weinstein, por e ardhmja e firmës tani është e paqartë.

Kryeredaktori i revistës “The Hollywood Reporter”, Mattheë Belloni e ka ndjekur nga afër gremisjen e producentit të famshëm të “Hollywood”-it.

“Pyetja kryesore që shtrohet, kur vihet në diskutim aftësia e kompanisë ‘Weinstein’ për të ecur përpara, është sa ishin drejtuesit e tjerë të saj në dijeni të këtyre veprimeve? Kam përshtypjen që do t’iu duhet për çdo rast të ndryshojnë emrin. Ky do të ishte një hap i parë drejt pastrimit të imazhit”, tha Mattheë Belloni, kryeredaktor i “The Hollywood Reporter”.

Meryl Streep dhe Judi Dench iu përveshën të hënën Weinsteinit, një njeri të cilin e kishin vlerësuar lart, pa qenë në dijeni – siç thanë, – të veprimeve të tij të turpshme me femrat.

Zërit të indinjatës iu bashkuan edhe aktore të tjera të famshme, si Jessica Chastain e Julianne Moore. Belloni mendon se vendi i 65-vjeçarit në majën e Olimpit, kaq e pati.

“Mendoj se Harvey ka marrë fund në Hollywood. Nuk e di sesi mund të punojë dikush me të, e jetëgjatësinë në këtë industri e kishte pikërisht në sajë të marrëdhënies së tij me talentin”, tha Belloni.

Skandali shpërtheu kur gazeta “New York Times” njoftoi në një artikull tronditës se, Weinstein kishte arritur të paktën 8 marrëveshje lidhur me akuza për ngacmime seksuale. Në mesin e akuzuesve ishte edhe aktorja Ashley Judd, si dhe disa ish-punonjëse të tij.

Top Channel