Harvey Weinsten “braktiset” nga të gjithë

10/10/2017 00:00

Meryl Streep dhe aktorë të tjerë të njohur po ngrenë zërin lidhur me skandalin seksual ku është përfshirë një prej njerëzve më të fuqishëm të Hollivudit, Harvey Weinstein.

I akuzuar për ngacmime seksuale, producenti i shumë filmave të suksesshëm u shkarkua nga vetë bordi i kompanisë së tij pas një raporti të “New York Times”, që pretendonte se gjatë 30 viteve ai ka ngacmuar seksualisht gra të ndryshme që punonin për të. Mes tyre përfshihen emra të tille si Ashley Judd dhe Rose McGowan, të cilat ishin të parat që drejtuan gishtin kundër tij.

Në një deklarate të publikuar fillimisht në “Huffington Post”, aktorja e famshme Meryl Streep u shpreh e tronditur nga lajmi i turpshëm, siç e cilësoi. Fituesja e çmimit Oskar me filmin e Weinstein “Iron Lady” vlerësoi ato që i quajti heroina, të cilat ngritën zërin për zbulimin e abuzimeve.

Në 2012 gjatë ceremonisë së Golden Globes ajo e kishte cilësuar “Zot” producentin, ndërsa tani, pas akuzave kundër tij flet për një abuzim të neveritshëm e të pafalshëm pushteti.

“Jo të gjithë e dinin. Harvey e ka mbështetur shumë punën time dhe ka treguar respekt ndaj meje e shumë të tjerëve që punonin me të. Nuk isha në dijeni për ngacmimet seksuale, apo takimet në dhomat e hoteleve apo banjo”, deklaroi aktorja.
 
Edhe aktorja Judi Dench publikoi një deklarate ku tha se nuk dinte asgjë lidhur me pretendimet e tmerrshme, siç i quajti. Ema Thomson, Mark Ruffalo dhe Seth Rogen janë mes emrave të tjerë të njohur të Hollivudit që shprehën qëndrime të ngjashme.

Aktorja 44-vjeçare, Rose McGowan është mes akuzueseve më të zëshme.

“Kjo vajzë ka qenë viktimë e një përbindëshi. Kjo është vajza që e mbuluat me turp me heshtjen tuaj”, shkruan McGowan në rrjetin social Twitter, krahas fotos së saj në moshë të re. 

Imazhi u përket kohëve kur Rose thotë se ishte abuzuar seksualisht nga producenti. Fjalët e 44-vjeçares u drejtohen të gjithë atyre aktorëve e grave të spektaklit, që me heshtjen e tyre e mbuluan për vite me radhe Weinstein, pavarësisht se ishin në dijeni të veprimeve te tij.

Top Channel