Një yll për Debra Messing

07/10/2017 00:00

Debra Messing nuk i mbajti dot lotët në ceremoninë e prezantimit të yllit të saj në shëtitoren e famës në Hollivud.

Aktorja e nominuar 6 herë në çmimet Emmy për performancën e saj në serialin “Will & Grace”, arriti ta rrëmbejë më në fund në 2003-shin trofenë e shumëlakmuar.

E rrethuar nga të afërmit e saj dhe bashkëprotagonistët e serialit që e katapultoi në majat e famës, Eric McCormack e Megan Mullally, Messing u përlot, edhe pse siç tha duhet qeshur për t’i kapërcyer më lehtë vështirësitë.

“Që të tregohem e ndershme me ju, nuk kam guxuar kurrë të shpresoj se një moment i tillë do të mbërrinte vërtet. Jam e sigurtë megjithatë, se nëna ime nga ana tjetër, e ka bërë një gjë të tillë. I kam kapërcyer prej kohësh ëndrrat e mia dhe jam përpjekur të jetoj çdo ditë një jetë të mbushur me mirënjohje, bashkëpunime dhe miq të mirë”, tha vetë aktorja.

Duke folur për agjencinë Reuters, aktorja u shpreh se rikthimi i serialit komik në 2017-tën nuk mund të vinte në një kohë më të mirë. E qeshura ka veti shëruese të çuditshme, thotë ajo dhe nevojitet shumë, sidomos në një vit si ky të mbushur me fatkeqësi natyrore e lajme vrasjesh në masë.

Top Channel