Ylli i muzikës “Rock”, John Bon Jovi, këngëtarja britanike Kate Bush, si dhe grupi anglez me shumë ndikim “Radiohead”, janë mes kandidatëve për t’u përjetësuar në “Rock & Roll, Hall of Fame”, në një listë të dominuar qartazi nga artistët britanikë.

Plot 8 nga 19 kandidatët e shpallur të enjten, mes të cilëve edhe banda e muzikës “Rock”, “Dire Straits”, dhe grupi elektro-pop “Depeche Mode”, janë muzikantë britanikë.

Artistët duhet të kenë prezantuar regjistrimin e tyre të parë të paktën 25 vite më parë, për t’u përfshirë në listën e kandidatëve. Adhurues të muzikës dhe më shumë se 900 ekspertë të industrisë do të votojnë tani mbi emrat e propozuar, duke zgjedhur kështu 5 ose 6 fituesit, që do t’i shtohen muzeut dedikuar yjeve të “Rock”-ut.

Emrat do të shpallen në dhjetor, ndërsa ceremonia e përurimit do të mbahet në Ohio, Cleveland, në muajin prill. Mes kandidaturave pas vdekjes, këtë vit përfshihet kantautorja dhe aktivistja amerikane, Nina Simone, si dhe këngëtarja e muzikës “Gospel”, Sister Rosetta Tharpe.

Votuesve “online” dhe grupit të artistëve, historianëve dhe pjesëtarëve të industrisë muzikore u kërkohet të konsiderojnë ndikimin muzikor, inovacionin, jetëgjatësinë dhe cilësinë e karrierës në zgjedhjen e fituesve.

Top Channel