Anaidi i “Big Brother” rrëfen jetën, lidhjen me Oriola Marashin dhe karrierën…

05/10/2017 00:00

I ftuar në “Pasdite në Top Channel”, Anaid Kaloti, ish-fituesi i edicionit të 6-të të “Big Brother”, rrëfen të gjitha projektet e momentit, profesionin si gazetar, përfshirja në jetën politike.

Pas Big Brother, pritshmëritë ishin se ti do të mund ta gjeje veten në televizion…
“Si gazetar në profesion mund të them që marrëdhënia ime me kamerën nuk është edhe aq e dashur. Nuk impostohem dot mirë përpara kamerës, por kjo nuk do të thotë që nuk mund të jem pjesë e një emisioni”.

Anaidi pritet shumë shpejt të vijë me një emision të ri “reality show” , ku do ketë edhe rolin e regjisorit.

Çfarë ndodh në jetën tënde private përveç jetës profesionale?
“Ajo fillon në zyrë në orën 10 të paradites dhe përveç asaj të zyrës kemi hapur dhe kompaninë ku po merremi edhe me eventin. Dëshira është shumë e madhe të vazhdoj studimet shkencore për një degë të re, jo gazetarinë. I jam rikthyer pak normalitetit, larg klubeve dhe femrave duke u munduar të krijoj diçka për të ardhmen”.

Pyetjes se nëse është “single” apo është në një lidhje Anaidi pohon se nuk ka të dashur. “Femra është një përkushtim shumë i madh së cilës duhet t’i japësh maksimumin që t’i mund të nxjerrësh nga vetja. Unë tani nuk kam kohë për këtë”.

Është përfolur shumë historia jote me Oriola Marashin..
“Nuk dua ta komentoj këtë pjesë. Është e vërtetë, kemi dalë publikisht bashkë, por nuk kemi pse të flasim më për njëri tjetrin, për sa kohë që nuk jemi afër. Unë i uroj suksese, gjithë të mirat në jetë…”
 
Historia e shumëpërfolur me ish-banoren e këtij edicioni të “Big Brother”, Armelën, ai tregon se ka një shoqëri shumë të mirë mes tyre.

A e ka bezdisur Anaidin përfolja e jetës personale dhe të qenurit në qendër të mediave sociale?
“Nuk më bezdis aspak. Unë kam jetuar 100 ditë poshtë kamerave dhe jam mësuar me këtë pjesë, por edhe mosha që kam tani nuk më jep akses të jem pjesë e portaleve dhe gazetave. Mendoj se duhet t’i japësh pak rëndësi asaj që di të bësh e jo asaj që ti do të shfaqësh”.

Si është qasja e Anaidit me politikën dhe angazhimi i tij me LIBRA-n?
“Libra ishte partia më e re në politikë dhe aty përfaqësoheshin të gjitha shtresat, moshat, natyrat dhe kulturat. Unë u mora me politikë, kam qenë pothuajse gjithë kohën krah Ben Blushit, por pas zgjedhjeve, edhe pse ajo nuk ishte një pronë, dyert i Libra-s janë të mbyllura”.

Pyetjes se a e shikon përsëri veten në politikë, Anaidi thotë: “Unë gjithmonë kam mbajtur pozicionin e opozitarit dhe mendoj se politika në Shqipëri është shumë mbytëse dhe pa hapësira për këdo që do të jetojë I lire”, tha Anaidi në Pasdite në Top Channel.

Top Channel