Top Story, Lëvizja për Ringritjen dhe kriza e PD

04/10/2017 00:00

Ajo që pritej ndodhi! Tashmë kemi një lëvizje zyrtare të mbështetur nga më shumë se 60 figura të së djeshmes dhe të sotmes të Partisë Demokratike, që janë kundër mënyrës së drejtimit të saj nga ana e Lulzim Bashës.

Lëvizja për Ringritjen e Partisë Demokratike ka dalë me një platformë të saj, ku një ndër pikat kryesore është organizimi i zgjedhjeve për kryetar të partisë brenda 9 muajve dhe vendoset në dyshim legjitimiteti i Lulzim Bashës si kryetar i saj.

Por sa reale është platforma dhe a i bën më shumë dëm apo dobi Partisë Demokratike? Për këtë u diskutua këtë të mërkurë në Top Story me analistët Alfred Lela, Agron Gjekmarkaj, Arjan Vasjarin dhe Eduard Zaloshnjen.

“Kjo lëvizje i bën dëm në kuptimin që e shpërqëndron. Kjo e zgjat krizën, e shpërqëndron aksionin opozitar të PD. Është lajm i mirë në kuptimin që tani marrin fund sharjet prej marinarësh të dehur dhe futen në shishen artistike me bojra të mira që quhet platformë dhe prej kësaj do të shohim një aksion opozitar brenda opozitës që të paktën merret me argumentin”, deklaroi Alfred Lela.

Ai tha se parashikon përplasje mes palëve dhe jo paqe.

“Ajo që mund të them është që ky nuk është një fraksion sepse unë nuk shoh asnjë spikamë ideologjike në të. Shoh teknikalitete dhe aty janë teza të qëndrimit zyrtar të PD”, deklaroi Lela.

Arjan Vasjari mendon të kundërtën e Alfred Lelës sa i takon platformës.

“Të thuash sot se shpallja e një platforme mund t’i zgjasë krizën Partisë Demokratike, mua më duket absurde, sepse PD sot është një krizë të thellë dhe i vetmi instrument që do të nxirrte PD nga kriza është kjo platformë, që është korrekte dhe teston elektoratin e partisë”, deklaroi ai.

Agron Gjekmarkaj konfirmoi qëndrimin e Arjan Vasjarit. Ai tha se PD ndodhet në një krizë dhe përmendi dy alternativa për Lulzim Bashën.

“Partia Demokratike i ka punët siç i do kundërshtari, i ka për faqe të zezë. PD e ka të nevojshme këtë krizë, të bashkëjetojë dhe të përballet me të. Tani kemi një copë të PD që e udhëheq Basha dhe kemi një copë tjetër, që mendoj se është një hap pozitiv dhe kemi edhe një grup themeluesish që nuk i janë bashkuar kësaj panorame. PD ka nevojë për një debat konstruktiv dhe platforma e njeh si kryetar. Për mua Lulzim Basha ka dy rrugë, e para të sillet në mënyrë totalitare, siç ka grupin parlamentar që shkëlqen nga banaliteti dhe tjetra është që Lulzim Basha të rivihet në diskutim dhe le të rivotohet dhe aty është momenti që të bëhet lider i PD me vota pa mbushur kutitë dhe që pranohen prej të gjithëve”, deklaroi ai.

Eduard Zaloshnja iu referua një sondazhi të kryer në vitin 2013 për të shprehur pesimizmin e tij për platformën e Lëvizjes për Ringritjen e Partisë Demokratike.

“Në atë sondazh, vetëm gjysma e 700 mijë votuesve me prejardhje nga familje të përndjekurish votonin PD, pjesa tjetër ose nuk voton, ose voton një parti tjetër. Pra kemi gjysmën e një shtrese, ish të përndjekur që nuk e ndjejnë më veten të përfaqësuar tek PD. Tek ky fraksion i PD unë nuk shoh një përfaqësim të kësaj shtrese”, deklaroi ai. 

Top Channel