Platforma për ringritjen e PD, Bode: Të rizgjidhet kreu

04/10/2017 00:00

Platformën për ringritjen e Partisë Demorkatike, ish-drejtuesit dhe ish-deputetët e saj e kanë bazuar te zgjedhjet.

“Ka një dhe vetëm një devizë, bashkimin e PD përmes një procesi zgjedhor”, tha Ridvan Bode.

Ridvan Bode, ish-Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Demokratike për 16 vite dhe një nga nismëtarët e lëvizjes përcjell frymën e platformës, kur shpjegon se me drejtimin e gabuar të partisë nga Lulzim Basha, vetëm anëtarësia mund të korrigjojë dhe të vendosë me votë për të ardhmen.

“Të bashkojmë të gjithë PD-në përmes një procesi analize të thellë, jo të orientuar dhe të diktuar, por ashtu siç e mendojnë demokratët, e përmes kësaj analize të ftohen për të rindërtuar të gjitha organet drejtuese, nga seksioni deri në nvelin më të lartë”, tha më tej Bode.

Që kjo të arrihet, kritikët e Bashës të grupuar në lëvizje kanë vendosur disa kushte për mënyrën e organizimit të zgjedhjeve. Por më e rëndësishmja prej tyre është pika që kërkon edhe rizgjedhjen e kryetarit të Partisë Demokratike. Një kusht ky, që konsiderohet i panegociueshëm.

“Kur themi proces zgjedhor i nënkupton që të gjitha elementet, të gjitha fazat. Unë mendoj se edhe vet kryetarit i intereson një proces i tillë, si hapi i parë për të kërkuar dhe për të tentuar rifitimin e kredibilitetit të bjerrur poshtë për shkak të farsës së 22 korrikut”, u shpreh Ridvan Bode.

Platforma do të paraqitet zyrtarisht edhe në organet drejtuese të Partisë Demokratike, e cila nuk ka ende një reagim. Por çfarë bie në sy, dhe që nismëtarët e lëvizjes e pranojnë, është heqja dorë nga kërkesa për fraksion.

“Nuk kërkojmë as fraksion, as përfaqësime të cilësuara. Kërkojmë që ne të jemi pjesë e barabartë e çdo anëtari të PD-së me të drejtën për të votuar e për t’u votuar. Pastaj do të jetë vota e demokratëve që do të kompozojë atë drejtim që meritojnë vet ata”, përfundoi Bode.

Top Channel