KQZ, anëtarët e opozitës pengojnë vendimin për gjobën ndaj PD-së

04/10/2017 00:00

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dështoi sërish të miratonte një vendim që penalizonte me gjobë partitë politike që nuk respektuan kriteret ligjore për barazinë gjinore në zgjedhje.

Projektvendimi që po bllokohet nga dy anëtarë të opozitës me bojkot penalizon me 12 milionë lekë Partinë Demokratike. Në zgjedhjet e fundit, Partia Demokratike kandidoi më pak femra sesa e kërkon ligji.

Në mbledhjen e kësaj të mërkure do të shqyrtohej pikërisht ky vendim, por mungesa e anëtarëve Hysen Osmanaj dhe Vera Shtjefni çoi në shtyrjen e mbledhjes. Nënkryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Denar Biba, në mbledhjen e shkurtër që u mbajt argumentoi se dy anëtarëve të opozitës që munguan u është ndërprerë mandati sipas ligjit.

Biba tha se këtë e përcakton neni 10 i Kodit Zgjedhor për ndërprerjen para kohe të mandatit të anëtarit, në të cilin përcaktohet se një situatë që çon në ndërprerje është mungesa për shkaqe të arsyeshme në dy mbledhje radhazi të KQZ-së, apo në periudhë zgjedhore për më shumë se 5 ditë e anëtarit.

Top Channel