“Minoritetet”, maqedonasit kundër bullgarëve. Bushati: Ne, jashtë sherrit

03/10/2017 00:00

Bullgaria kërkon minoritet në Shqipëri, por kundër nuk pati vetëm ministrin e Jashtëm, por edhe maqedonasit.

“Në Shqipëri nuk ekziston minoritet bullgar. Ky është një deformim i historisë dhe i së vërtetës. Në Prespë, Gorë e Gollobërdë, ku pretendohet që ka minoritet bullgar, jeton vetëm minoritet maqedonas. Kjo kërkesë e Bullgarisë ka të bëjë me projektin e saj për ‘Bullgarinë e Madhe’”, tha Vasil Sterjoski, nga Shoqata maqedonase “Sonte”.

Ky kapitull është i mbyllur për momentin edhe për ministrin Bushati.

“Nga viti 1945, kur është bërë censusi për herë të parë, e deri në vitin 2011, që është censusi i fundit, nuk ka pakica të tjera të listuara përveç pakicave që listohen në këtë ligj”, tha Ditmir Bushati.

Por sërish përfaqësuesit e shoqatave bullgare kërkonin njohjen e këtij minoriteti.

“Ne, si përfaqësues të organizatave të minoritetit bullgar në Shqipëri, shprehim kërkesën tonë mbi bazën e ligjeve të Shqipërisë, fakteve historike, vullnetit dhe dëshirës së shtetasve, e kërkojmë njohjen e pakicës bullgare në Shqipëri”, tha Ervin Taluri, zv.kryetar i Shoqatës për Miqësi Bullgaro-Shqiptare.

Por nga maqedonasit, akuza vjen edhe më e rëndë.

“Lindën shoqata të reja, gjoja bullgare në Shqipëri. Këto shoqata japin pasaporta bullgare. Dhe, jo vetëm komunitetit maqedonas, por edhe shumë qytetarë shqiptarë po bëhen bullgarë vetëm për të ikur në Europë”, deklaroi Vasil Sterjoski.

Në këtë përplasje brenda shtëpisë bullgaro-maqedonase, Shqipëria duket se kërkon të rrijë larg.

“Ne si shtet nuk kemi preferuar që të hyjmë në çështje identitare, që në fakt nuk janë çështje tonat, por është një ‘teatër’ që luhet mes shteteve të tjera”, tha Ditmir Bushati.

Top Channel