Luan Rama: Radarët e Forcave Detare në shërbim të trafikantëve të drogës

01/10/2017 00:00

Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama theksoi se “që nga viti 2015 janë lënë jashtë shërbimit edhe radarët e Sistemit të Integruar të Hapësirës Detare”.

“Kompania private kontrollon me kamera aktivitetin e personelit ushtarak! Nuk është rastësi që pikërisht prej vitit 2015 e deri sot, që në fakt është edhe periudha kur e gjithë Shqipëria u mbush me drogë prej kultivimit të stimuluar e të kontrolluar nga trafikantët e Rilindjes, janë lënë jashtë shërbimit edhe radarët e Sistemit të Integruar të Hapësirës Detare! Trafikantët e tonelatave të drogës që vërshuan drejt Italisë, duhej ta kishin rrugën të lirë! Duke parë e analizuar të gjitha faktet e dokumentat që disponoj, por edhe nga bisedat me shumë ushtarakë e specialistë të fushës, një gjë mund ta them me bindje: mosveprimi i strukturave përgjegjëse në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura dhe në mënyrë të veçantë në Komandën e Forcave Detare, e ka vënë Sistemin e Integruar të Vëzhgimit të Hapësirës Detare të Republikës së Shqipërisë, në shërbim të trafikantëve të drogës”, shkruan Luan Rama në Facebook.

“Ka me dhjetëra relacione e akte kontrolli ku provohet se shqetësimi për mosfunksionimin e radarëve është bërë prezent, mirëpo në vend që të ndërhyhej menjëherë për vënien e radarëve në punë, janë larguar nga postet e punës ushtarakët e specialistët që kanë ngritur shqetësimin për mosfunksionimin e Sistemit të Integruar të Vëzhgimit të Hapësirës Detare! Në këtë mënyrë jo vetëm që jan? krijuar kushte të favorshme për trafikimin e drogës kryesisht drejt Italisë, por janë cënuar rëndë standardet e Sigurisë Kombëtare! Dhe si vend anëtarë i NATO-s, Shqipëria ka cënuar në këtë mënyrë edhe vetë standardet e sigurisë së Aleancës”, shtoi Luan Rama.

Top Channel