Zguri: Raporti i OSBE-ODIHR udhërrëfyes për të ardhmen

29/09/2017 00:00

Kryetari i Komisionit Qendror Zgjedhor, Klement Zguri e ka cilesuar raportin e OSBE/ODIHR për zgjedhjet parlamentare të qershorit, si një material të çmuar reference për të përmiresuar punën e këtij institucioni në të ardhmen.

Sa i takon konstatimit të OSBE/ODIHR për mosqartësimin nga ana e KQZ-së të kundërshtive ligjore që lindën për reklamat elektorale në median audiovizive, nëse do të jepeshin me pagesë, siç e ka ligji apo pa pagesë sipas marrëveshjes politike mes PS dhe PD, Zguri ka këtë përgjigje:

“KQZ ka vepruar dhe do të veprojë me rigorozitet në zbatim të kuadrit ligjor në fuqi, në këtë kontekst, edhe pse KQZ nuk mund të sillej si instancë eprore e Parlamentit, mekanizmi ligjor që lejon KQZ-në të qartësojë kundërshtitë, nuk u vu në lëvizje, pasi palët (partitë politike dhe operatorët radiotelevizivë), gjetën zgjidhje alternative”, u shpreh ai.

Për mosvendosjen e sanksioneve për mosrespektimin e kuotave gjinore në listat e kandidatëve, Zguri u shpreh se KQZ është ende brenda afatit ligjor për të gjobitur subjektet përkatëse politike që nuk kanë respektuar këto kuota.

Sipas Zgurit, “raporti vlerëson se KQZ-ja ia doli të zbatojë detyrat e veta bazë” dhe “çmon transparencën e veprimtarisë së KQZ-së”.

“Te transparenca ne gjejmë forcën tonë, ndaj dhe jemi të kënaqur që përmendet në raportin e OSBE-ODIHR-it. Siguroj se menjëherë pas zgjedhjeve, KQZ ka nisur punën për ngritjen e qendrës së trajnimeve që do të certifikojë anëtarët potencialë të KZAZ-ve dhe KQV-ve”, deklaroi Zguri.

Raporti i OSBE/ODIHR nuk bën një përkufizim të qartë për përmbushjen e standardeve demokratike të zgjedhjeve të 25 qershorit, por në raport renditen disa rekomandime të rëndësishme për arritjen e këtyre standardeve.

Si gjithmonë, rekomandimi numër 1 është bërja në kohë e një reformë gjithëpërfshirëse zgjedhore, e cila të adresojë edhe rekomandimet e raporteve të mëparshme të OSBE/ODIHR-it, duke harmonizuar ligjet e ndryshme, veçanërisht përsa i përket financimit të fushatës dhe medias.

Rekomandimi nuk përmend ndryshimin e sistemit zgjedhor apo votimin elektronik, që janë kërkesa kryesore të opozitës për reformën që nis javën e ardhshme. Çka lë vend për sugjerim se ky është një vendim që duhet ta marrin vetë partitë në negociatat mes tyre.

Rekomandimi tjetër është bërja e përpjekjeve të fuqishme për të adresuar çështjen e vjetër dhe të re të blerjes së votës përmes fushatave ndërgjegjësuese dhe ndjekjen penale. OSBE/ODIHR thotë se përveç angazhimit të sinqertë dhe konkret të partive politike për të luftuar praktikat e blerjes së votës, politikanët duhet të refuzojnë publikisht mbështetjen financiare nga individë me të kaluar kriminale. Rekomandimi thotë se kjo do të ndihmojë të ndërtohet besimi publik në integritetin e zgjedhjeve.

Raporti i rekomandon qeverisë të marrë në konsideratë ngritjen e një trupe transparente, të pavarur dhe gjithëpërfshirëse me detyrën dhe kompetencën për të vepruar kundër abuzimit me burimet shtetërore dhe me presionet ndaj administratës.

Një strukturë e ngjashme me këtë rekomandim të OSBE/ODIHR -it u ngrit për herë të parë në këto zgjedhje në formën e një task-force, pas përfshirjes së opozitës në qeveri me ministra teknikë. Një sugjerim që bëri edhe ish-zëvendëskryeministrja Mandija në raportin e saj për zgjedhjet.

OSBE/ODIHR rekomandon për të disatën herë ndryshimin e ligjit për komisionerët dhe numëruesit që administrojnë procesin elektoral, në mënyrë që ato të mos u përkasin partive politike.

Në raport thuhet se politizimi i zgjedhjeve, nëpërmjet trupave dhe institucioneve të tyre, si dhe akuzat gjerësisht të përhapura për blerje vote e kanë ulur besimin publik tek procesi zgjedhor.

Top Channel