Në jetën tjetër…pranë Monroe

29/09/2017 00:00

Në jetën e tij, themeluesi i “Playboy”-t, Hugh Hefner preferonte të rrethohej nga një harem femrash të reja, në vilën e tij të famshme “Playboy Mansion”.

Në vdekje, ai ka kërkuar të jetë pranë një femre të vetme: ikonës së “Hollywood”-it, Marilyn Monroe. Hefner, që ndërroi jetë të mërkurën në moshën 91-vjeçare, bleu në vitin 1992 vendin e varrit pranë Marilyn për 75 mijë dollarë.

Ky fakt e ka përçarë opinionin publik: disa e konsiderojnë një gjest prekës, të tjerë një imponim të shëmtuar.

Adhuruesit e Hefner në mediet sociale e lavdërojnë për vlerësimin e bërë ndaj Monroe, vajza e kopertinës së tij të parë. Ylli i “Hollywood”-it, i shndërruar në simbol të padiskutuar të bukurisë femërore, vdiq në vitin 1962.

“Të shpenzosh të gjithë përjetësinë pranë Marilyn është një marrëveshje shumë e mirë për kalimin në botën tjetër”, shkruan një prej fansave të Hefner. Të tjerë, megjithatë, këmbëngulin se Monroe u ndie shumë shpejt e shqetësuar nga fotoja, e druhej se kjo mund të ndikonte në karrierën e saj.

Asokohe kishte pranuar të pozonte e zhveshur, duke qenë se nuk po gjente dot një rol nëpër filma dhe ishte e dëshpëruar për parà. Shkrepja e famshme do t’i sillte 50 dollarë. Kjo ndodhi në vitin 1953. Katër vite më vonë, Hefner i pagoi një kompanie kalendarësh 500 dollarë, që ta shfaqnin Marilyn Monroe pa asnjë rrobë në trup, e shiti 50 mijë revista pothuajse brenda natës.

Top Channel