Negociatat, Bushati: Basha foli me gjuhën e Berishës

28/09/2017 00:00

“Kthimi në gjuhën e vjetër dhe në traditën e Sali Berishës. Sot në Kuvend m’u duk Basha fizikisht që fliste me gjuhën e Berishës”.

Me këto fjalë ministri i Jashtëm Ditmir Bushati komentoi nga studio e Top Story-t deklaratën e Lulzim Bashës nga salla e Parlamentit. Kreu i Partisë Demokratike tha se negociatat për anëtarësimin nuk do të hapen dhe kjo jo për shkak të opozitës, por për faj të qeverisë.

Bushati tha se BE ka një plan të qartë për zgjerimin e saj.

“Plani është i qartë dhe vetë fjalimi i fundit i Juncker reflekton një qasje të ndryshme nga vetë komisioni, përsa i përket politikës së zgjerimit. Komisioni Europian ka një raport dhe nisjen e bisedimeve nëse zbatojmë reformën në drejtësi dhe ligjin e vettingut”, tha ai.

Por jo gjithçka varet nga qeveria.

“Fakti që Basha shpalli një rivalitet për këtë proces është i vajtueshëm, sepse ky është një proces që qeveria ka pjesën e vet, por nevojitet bashkëpunimi i gjithë aktorëve politikë për të zbatuar reformën në drejtësi dhe për të mbështetur institucionet e sigurisë dhe ligjzbatuese për të përshkallëzuar luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Nuk ka kushte shtesë. Flitet për pesë prioritete dhe për një rekomandim të qartë të KE në këtë drejtim”, u shpreh Bushati.

Top Channel