Ndërron jetë themeluesi i “Playboy”

28/09/2017 00:00

Themeluesi i “Playboy”-t, Hugh Hefner ka ndërruar jetë në moshën 91-vjeçare.

Në deklaratën e përcjellë nga revista që ai nisi të botonte në vitin 1953 nga kuzhina e shtëpisë së tij, thuhet se Hefner u shua qetësisht në shtratin e vet nga shkaqe natyrale.

Ajo që nisi si përpjekje e një njeriu të vetëm do të kthehej shumë shpejt në “markën” që përvijoi kulturën seksuale të shekullit XX. Modelet e bëshme të “Playboy”-t u shndërruan në objekt fantazie për miliona meshkuj, ndërsa Hefner sfidoi kështu hapur puritanizmin amerikan. Rolin e “playmate” e kanë interpretuar në vite edhe plot yje të Hollivudit. E para qe Marilyn Monroe. Suksesi i revistës u përkthye shumë shpejt në një perandori të vërtetë biznesi që përfshinte kazino e klube nate. Manjati i veshur thuajse gjithmonë me rroba të mëndafshta që i ngjasonin pizhamave u bë i famshëm për stilin hedonik të jetesës dhe për faktin që dilte me lepurushet e “Playboy”-t e në disa raste, edhe martohej me to.

Hefner pretendonte se kishte pasur marrëdhënie intime me mbi 1000 femra. Me gruan e tretë, Chrystal Harris, lidhi kurorë në vitin 2012, kur ishte 86 vjeç, ndërsa ajo ishte 60 vjet më e re.

Hugh Hefner praktikisht jetoi jetën që vetë e kishte portretizuar në revistën e tij. Vila e tij “Playboy Mansion” në Los Angeles, aty ku dhe vdiq i rrethuar nga miqtë, ishte mishërim i ëndrrës së një adoleshenti.

Feministët e sulmuan shumë me argumentin se i shndërronte vajzat në objekte, por Hefnerit i pëlqente të kujtohej si dikush që ndryshoi botën në mënyrë pozitive, qoftë edhe në një kontekst social intim.

FOTO GALERI
1/14
Hugh Hefner shuhet në moshën 91-vjeçare

Top Channel