Bushati i bindur: Negociatat hapen vitin tjetër

28/09/2017 00:00

Ditmir Bushati u shpreh i bindur se hapja e negociatave për anëtarësimin në Bashkimin  Europian do të ndodhë qershorin e vitit të ardhshëm.

“Jam absolutisht i sigurtë që nëse vazhdojmë me këtë ritëm përsa i përket zbatimit të reformës në drjetësi, sa i përket zbatimit të vettingut dhe nëse krijojmë një klimë politike si ajo që krijuam para zgjedhjeve, Shqipëria do të ketë një vendimarrje për fillimin e negociatave vitin tjetër”, tha ai.

Lidhur me kushtet e palës greke, Bushati la të kuptohej se ato nuk janë pjesë e prioriteteve të Komisionit Europian dhe si të tilla nuk mund të quhen kushte.

“Janë pesë prioritete nga 12 që ishin në momentin që Shqipëria aplikoi. Raporti i KE erdhi me propozimin për hapjen e negociatave duke veçuar reformën në drejtësi dhe vettingun, duke patur parasysh edhe çështje të tjera, edhe për çështjen e pronës që zoti Kotzias foli”, deklaroi Bushati.

Kryediplomati shqiptar tha se nuk beson se Greqia do të bllokojë hapjen e negociatave, ndërkohë katër kushtet e përmendura nga Kotzias i quajti çështje mes dy vendeve.

“Kemi një raport intensiv komunikimi në planin formal dhe joformal dhe besoj se qëndrimet mes Shqipërisë dhe Greqisë për çështje dypalëshe janë të qarta. Ka një  mekanizëm koordinues në dy Ministritë e Jashtme dhe janë këmbyer pikëpamje për çështje të natyrave të ndryshme”, u shpreh Ditmi Bushati.

Top Channel