LSI, Vasili: Rama urren vettingun, ndaj po e bllokon

26/09/2017 00:00

Kryetari i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili ka përsëritur akuzat ndaj kryeministrit Rama se kërkon të bllokojë vettingun.

“Kryeministri tha sot: ‘vettingu nuk është çështje numrash, por strukturimi’. E para, ky kryeministër duhet sqaruar që megjithëse e do për vete, vettingu është i pavarur dhe jo pronë e tij. Së dyti, ky kryeministër ka një ushtri parazitësh rreth vetes, me 650 vetë. Atëherë pse e pengon vettingun të përmbushë kërkesat më minimale dhe i shkurton 70 vetë?”, është shprehur Vasili.

Sipas tij, shefi i ekzekutivit është i paditur dhe e urren vetingun, ndaj dhe e pengon të funksionojë.

“Së treti, shqiptarët nuk presin drejtësinë dhe vettingun nga kryeministri që mbushi me drogë Shqipërinë, por presin drejtësinë që SHBA dhe BE kërkojnë. Së katërti, vettingun nuk e vendos dot as muhabeti bajat dhe as marrëveshjet gajasëse që bën qeveria me qeverinë, alias grupin parlamentar të Partisë Socialiste, por Kushtetuta dhe ligji”, ka shtuar Vasili.

Top Channel