Zgjedhjet në Gjermani, Merkel kërkon mandatin e katërt

24/09/2017 00:00

Gjermanët votojnë sot për të zgjedhur Parlamentin e ri, ndërsa kancelarja Angela Merkel kërkon mandatin e saj të katërt në krye të ekzekutivit gjerman, në zgjedhje që do të vendosin shumë për të ardhmen e vendit dhe më gjerë.

Në orët e fundit të fushatës, Merkel u tregua mjaft modeste dhe përmendi shumë pak arritjet e së shkuarës, duke theksuar se njerëzit do të votojnë për të ardhmen. Sondazhet tregojnë se Merkel do të arrijë që ta marrë mandatin që kërkon, pavarësisht këmbënguljes së rivalit të saj kryesor socialdemokrat, Martin Schulz, i cili synon të marrë votat e të pavendosurve që, sipas anketave, janë një në dy gjermanë.

Fushatës në mbështetje të kancelares gjermane i është bashkuar edhe boksieri me famë Luan Krasniqi, i cili është shfaqur disa herë në krah të Merkelit. Veç fotove në rrjetet sociale, Krasniqi është bërë pjesë e reklamave elektorale të partisë CDU të Merkelit, krahas personazheve të tjera të famshme në Gjermani.

“Ajo jep 100% për atë që bën. Kjo më pëlqen, prandaj unë e mbështes”, tha Krasniqi.
 
Ndërsa sondazhet japin partinë e Merkelit fituese në zgjedhje, ato gjithashtu sugjerojnë se ekziston mundësia që edhe një parti e ekstremit të djathtë të futet në Parlament për herë të parë pas 60 vjetësh. Sondazhet thonë se Partia Alternativa për Gjermaninë mund të fitojë deri në 60 vende në Parlament, pasi shfrytëzoi mjaft gjerë retorikën antiemigracion në fushatë.

Top Channel