Përshkallëzohet retorika mes Trump dhe Koresë së Veriut

24/09/2017 00:00

Presidenti amerikan Donald Trump ka bërë kërcënime të tjera kundër Koresë së Veriut, në kundërpërgjigje të fjalimit tejet të ashpër të ministrit të Jashtëm të vendit komunist në Kombet e Bashkuara, ditën e shtunë.

Ri Yong-ho e përshkroi Trumpin si një person “i sëmurë mendërisht dhe i pushtuar nga megalomania”, i cili po ndërmerr një “mision vetëvrasës”.

Por kreu i Shtëpisë së Bardhë është kundërpërgjigjur duke thënë se zoti Ri, por edhe udhëheqësi koreano-verior, Kim Jong-un, “nuk do të jenë edhe për shumë kohë nëpër këmbë”, nëse vazhdojnë me retorikën e tyre.

Ofendimet e rënda të fundit vijnë pak pasi Shtetet e Bashkuara ngritën në fluturim avionët bombardues shumë pranë kufirit lindor të Koresë së Veriut. Pentagoni njoftoi se synimi i kësaj shfaqjeje ishte të demonstrohet se opsioni ushtarak është i mundshëm për Shtetet e Bashkuara, për të mposhtur çfarëdolloj kërcënimi.

Sipas krerëve të Pentagonit, fluturimi i fundit ishte i pari që shkonte në ekstremet e zonës së demilitarizuar mes dy Koreve, nga çdo lloj avioni tjetër luftarak apo bombardues i amerikanëve në shekullin XXI.

Tensionet, së fundi kanë arritur kulmin për shkak të programit bërthamor të Penianit.

E pavarësisht këtyre javëve me fjalë tejet të rënda, ekspertët hedhin poshtë rrezikun e një konflikti të drejtpërdrejtë mes dy vendeve. Gjithsesi, ekziston shqetësimi se retorika e përshkallëzuar mund të bëjë që njëra palë të keqinterpretojë tjetrën, e kjo mund të shoqërohet me pasoja të rrezikshme.

Komentet e Yong-ho në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ditën e shtunë, imituan ato të thëna nga Trump po në OKB gjatë së martës, kur ai e quajti udhëheqësin e vendit komunist “një njeriu raketë në mision vetëvrasës”. Ri shkoi edhe më tej kur tha se “ofendimet” e Trumpit ishin “një gabim i pakthyeshëm”, që e bën të pashmangshme objektivin e Koresë së Veriut për të goditur me raketa tokën amerikane.

Megjithatë, pak përpara fjalimit të tij, Pentagoni njoftoi se shfaqja e forcës nënvizon “seriozitetin” me të cilin Shtetet e Bashkuara kanë marrë sjelljen “e pamatur” të Koresë së Veriut, duke e quajtur programin e armatimeve të vendit komunist si një kërcënim tejet të rëndë.

“Ky mision tregoi vendosmërinë e SHBA-ve dhe jep një mesazh të qartë se presidenti ynë ka shumë opsione ushtarake për të mposhtur çdo kërcënim”, thuhet në deklaratë. “Jemi të përgatitur për të përdorur të gjitha kapacitetet tona ushtarake për të mbrojtur tokën amerikane dhe atë të aleatëve tanë”.

Top Channel