Zotimi “të gjithë për një, një për të gjithë”

23/09/2017 00:00

“Çdo sulm kundër ndonjë vendi aleat do të përballohet nga Aleanca si një e tërë”, paralajmëron gjenerali Petr Pavl, kryetar i Komitetit Ushtarak të NATO-s në intervistë ekskluzive për Deutsche Welle.

“Nga siguria në Ballkanin Perëndimor përfiton siguria dhe stabiliteti në Europë”, është mesazhi i tij ku rajonit i vishet një rëndësi strategjike për NATO-n.

“Ne kemi investuar në sigurinë dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor për më shumë se dy dekada, Me këtë asistence, që nga vitet 1990, rajoni ka bërë përparim të rëndësishëm. NATO ka ndihmuar të marrin fund dy luftëra etnike në Ballkanin Perëndimor. Synojmë të ruajmë praninë, fokusin dhe  angazhimin tonë atje për aq kohë sa kërkohet ndihma jonë dhe të mbështesim aspiratat euro-atlantike të vendeve në rajon”, kujton gjenerali.

Aktualisht, vazhdon Pavel, aleatët e NATO-s, duke përfshirë ata në Ballkanin Perëndimor, po përballen me një gamë të gjerë sfidash komplekse, që nisin nga Rusia e deri tek trazirat në Lindjen e Mesme, terrorizmi, fluksi i migracionit, kërcënimet hibride dhe sulmet kibernetike.

“Për gati 70 vjet kemi mbrojtur stabilitetin dhe paqen, sepse kemi qenë të aftë të përshtatemi. NATO duhet të ketë mbrojtje dhe parandalim të besueshëm për të qenë në gjendje të mbrojë kundër çdo kundërshtari, ose kërcënimi”, arsyeton kreu i Komitetit Ushtarak të NATO-s.

Një Moskë agresive dhe më e sigurtë në vetvete mbetet, sipas tij, një prej sfidave kryesore në kufijtë e aleancës. Disa ditë më parë ai ishte në Tiranë i pranishëm në Konferencën e Komitetit Ushtarak të NATO-s, ku merrnin pjese shefat e shtabeve të vendeve anëtare të Aleancës së Atlantikut të Veriut.

Top Channel