Merkel për mandatin e katërt: Në lojë, e ardhmja

23/09/2017 00:00

Mund të jetë gruaja më e fuqishme e Europës, por në thelb mbetet një njeri i thjeshtë dhe popullor. Këtë tregoi Angela Merkel gjatë takimit me stafin e fushatës së partisë së saj konservatore CDU.

Kancelarja i falenderoi të gjithë të pranishmit, shumica 20-vjeçarë, për mbështetjen e dhënë e më pas i shërbeu kafe dhe sanduiçe.

Merkel, që kërkon një mandat të katërt në krye të ekzekutivit gjerman, tha në fjalimin e shkurtër të mbajtur 24 orë përpara se në mbarë Gjermaninë të çelen qendrat e votimit për zgjedhjet e përgjithshme, se shumë votues vazhdojnë të mbeten të pavendosur. Ajo i preku lehtë, por pa mburrje, arritjet e së shkuarës duke e vënë theksin tek e ardhmja.

“Njerëzit nuk votojnë për ne për shkak të së shkuarës, gjatë të cilës diçka e kemi arritur vërtet. Tani në lojë është e ardhmja. Gjërat do të ndryshojnë shumë, ndaj është e rëndësishme të sigurojmë vende pune. Kjo do të thotë se duhet ta mbajmë të ngulitur në mendje progresin dixhital”, tha Merkel.

Sipas anketimeve të muajit shtator, një në dy gjermanë nuk është ende i vendosur se kujt do t’ia japë votën dhe pikërisht këtë kategori po lufton fort që ta fitojë rivali i saj socialdemokrat, Martin Schulz.

Angela Merkel megjithatë reflekton qetësi, edhe pse ka ende mjaft refuzim ndaj politikës së saj liberale kundrejt refugjatëve, pasi e di se ksenofobët, megjithëse e kanë zërin të lartë, sërish mbeten pakicë.

Top Channel