BE mirëpret zotimet e May për Brexit

23/09/2017 00:00

Bashkimi Europian e mirëpriti pozitivitetin e fjalimit të kryeministres britanike, Theresa May dhe garancinë e saj se Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë “të respektojë angazhimet e marra” në buxhetin aktual të bllokut.

“May shprehu një frymë konstruktive, e cila ka qenë po ashtu fryma e Bashkimit Evropian gjatë këtyre bisedimeve unike”, deklaroi kryenegociatori i BE-së për Brexit-in, Michel Barnier.

Fjalimi, sipas tij, tregon vullnetin e Londrës për të ecur përpara. Por për presidentin francez Emmanuel Macron, Londra duhet të japë ca sqarime mbi pozicionin e saj negociues në raport me daljen nga BE-ja.

Çështje si të drejtat e qytetarëve të bllokut, fatura e shkëputjes dhe kufiri irlandez duhet të marrin një zgjidhje përpara se bisedimet të kalojnë tek tregtia.

“Përpara se të avancojmë në diskutime do të donim të sqarohej situata e qytetarëve europianë, termat financiarë të Brexit-it dhe problemi i Irlandës. Nëse nuk hidhet dritë mbi këto tre pika, nuk do të ketë përparim me të tjerat”, deklaroi Macron.

May propozoi një periudhë dyvjeçare të tranzicionit, pasi Anglia të largohet nga Bashkimi Evropian, duke argumentuar se Londra duhet të jetë në gjendje të hyjë në tregun e përbashkët gjatë kësaj periudhe dhe vendet e tjera të BE-së “të mos paguajnë më shumë”.

Fjalimi i shefes së ekzekutivit britanik i paraprin raundit të katërt të negociatave me Brukselin, proces i cili nuk mundet të vazhdojë më tej pa u kapërcyer çështjet e pazgjidhura.

Shkëputja do të realizohet marsin e 2019-s e përgjatë kësaj periudhe, nga sa shpjegoi May, vendi i saj mund të vazhdojë të paguajë kontribute.

Komentet erdhën në kohën kur negociatat për Brexit kanë ngecur tek çështja e shumës që Britania duhet të paguajë për të përmbushur zotimet financiare ndaj bllokut.

Top Channel