Superbanda e “skifterëve” shqiptarë në Athinë

22/09/2017 00:00

Autoritetet greke kanë publikuar identitetet e 49 pjesëtarëve të një bande hajdutësh që operonte në metronë dhe mjetet e transportit publik të Athinës.

Sipas autoriteve greke, 44 nga 49 të arrestuarit janë shqiptarë, ndërsa në bandë bënin pjesë edhe 3 bullgarë dhe 2 shtetas grekë, njëri prej të cilëve ish-polic.

Hetimet 6-mujore të policisëu konkretizuan në datën 18 shtator dhe publikimi i identiteteve të të arrestuarve u bë me lejen e posaçme të Prokurorisë së Athinës për t’u ardhur në ndihmë hetimeve të policisë.

Autoritetet grekë thanë se banda funksionte e mirë- organizuar. Anëtarët e saj kryesisht vidhnin portofola dhe sende me vlerë nëpër vagonat e trenit të metrosë së Athinës, por edhe në autobusë dhe supermarkete në kohën e fluksit në mjetet e transportit publik.

Sendet e vjedhura kryesisht para, telefona celularë, pajisje elektronike dhe bizhuteri dërgoheshin në Shqipëri, ndërsa një pjesë e tyre shiteshin në dyqanet e zonës Manastiraqi të Athinës osë në tregun e Pireut. Përfitimet e organizatës llogariten në qindra-mijëra euro në vit.

Mjaft domethënesë jane edhe raportet e përgjimeve të telefonave të bandës, ku në bisedat mes tyre të arrestuarit tregonin se nuk largoheshin nga vagoni nëse nuk vidhnin sende me vlerë prej 2000 eurosh në ditë.

Për kapjen e bandës, qindra policë u vunë në ndjekje duke përdorur metoda speciale hetimi dhe pamjet e kamerave të sigurisë nëpër stacionet e metrosë.

Drejtori i Policisë së Atikës e quajti operacionin një sukses të madh, ndërsa mediat vendase i bënë jehonë mënyrës së funksionimit dhe organizimit të këtij grupi.

Në krye të organizatës ishin Fatmir Metaj dhe Fatri Gadollari, të datëlindjeve 1970 dhe 1967, ndërsa rol aktiv në funksionimin e saj kishin edhe ish-polici grek Vasileos Dhermixhaqis dhe Josif Qiludhaqis të cilët merrnin shuma të maje në formë shpërblimi për informacionet që u jepnin anëtarëve të bandës.

Hetimet e policisë greke vazhdojnë. Autoritet u bëjnë thirrje qytetarëve që mund të njohin dikë prej të arrestuarve, ose kanë informacione që mund të çojnë në arrestim të tjera të anëtareve të organizatës, të telefonojnë në numrat e policisë.

Ndërkohë, për të gjithë të arrestuarit, gjykata ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg”, deri në përfundimin e hetimeve.

Top Channel