Njerëzit e kanë kërkuar në shekuj, por shkencëtarët pretendojnë se e kanë gjetur tani. Sekreti i jetëgjatësisë, sipas tyre është shumë i thjeshtë: nëse je i shëndetshëm deri në 55 vjeç, do të rrosh 90 e më shumë.

Ky është kufiri që bën dallimin. Për personat me probleme që në këtë moshë, mundësia e mbijetesës ulet ndjeshëm dhe ritmi i mirë duhet ruajtur deri te të 70-at, por si mund të arrihet kjo?

“Gjithçka varet nga stili i jetesës”, shpjegon Elio Riboli, drejtor i shkollës së Shëndetit Publik në “Imperial College” të Londrës, që do të thotë “nga ajo çfarë hamë, sa lëvizje bëjmë dhe sa peshojmë”.

Ka plot studime tashmë, që e vënë theksin te dieta e duhur, një aktivitet i mirë fizik dhe ruajtja e masës së duhur trupore, të konsideruara që të gjitha të domosdoshme për parandalimin e sëmundjeve të ndryshme, si tumoret apo patologjitë kardiovaskulare.

Megjithatë, vëzhgimi i fundit shërben për të krijuar bindjen përfundimtare se, për të jetuar gjatë nuk ka zgjidhje tjetër. Në funksion të tij u mbikëqyrën për një kohë të gjatë dy grupe individësh, burra e gra nga vende të ndryshme europiane.

Të parët ishin korrektë e ndiqnin një dietë të kujdesshme me konsum të moderuar alkooli, lëvizje e peshë normale; të dytët ishin krejt e kundërta. Rezultatet në fund konsiderohen spektakolare: 93% e personave të grupit të parë e arritën moshën 70 vjeç në gjendje realitivisht të mirë; te të dytët, niveli i mbijetesës u reduktua me 65% te burrat dhe 70% te gratë, për shkak të kancerit e sëmundjeve të zemrës.

Top Channel