Komedia për Stalinin mund të ndalohet

20/09/2017 00:00

Autoritetet ruse po konsiderojnë ndalimin e komedisë së zezë për vdekjen e diktatorit rus, Joseph Stalin, pasi druhen se shfaqja e filmit mund të sjellë protesta të dhunshme.

Zyrtarë nga Ministria ruse e Kulturës thanë se, filmi i titulluar “Vdekja e Stalinit”, me regji të Armando Iannuccit, ishte një provokim i hapur me qëllimin për të zemëruar komunistët rusë.

Madje, spekulimi rus shkoi deri atje sa të pretendohet se, filmi franko-britanik mund të jetë pjesë e një komploti perëndimor për të destabilizuar Rusinë, duke përçarë shoqërinë e saj.

Ministri i Kulturës tha se filmi është ende në vlerësim, por shfaqja e tij do të ndalet, nëse gjykohet se ka potencialin për të nxitur urrejtje.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se vendimi i takon ministrisë dhe askush nuk dyshon në aftësitë e saj për të gjykuar.

Skenari satirik i filmit përqëndrohet te betejat e brendshme politike në Kremlin, pas vdekjes së Stalinit nga një infarkt në vitin 1953. Në të aktrojnë emra të famshëm të botës së kinematografisë, si Steve Buscemi, në rolin e Nikita Khrushchev, pasuesi i Stalinit; Michael Palin, si Vyacheslav Molotov; si dhe Jeffrey Tambor, në rolin e Georgy Malenkov.

Partia Komuniste është e dyta më e madhe në Parlamentin rus dhe që më herët e ka cilësuar filmin të neveritshëm. Ndërsa nga një pjesë e shtypit vendas, filmi është cilësuar si një realizim i lig nga të huajt, që nuk dinë asgjë për historinë ruse, duke vulosur fatin e tij jo zyrtarisht.

Top Channel