Banda e falsifikimeve, disa nën hetim nga policia

20/09/2017 00:00

Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave apo dokumentave të tjera është kthyer në një problem shqetësues për autoritetet.

Pak ditë më parë, Policia e Tiranës arrestoi 2 persona që prodhonin dokumenta false italiane të një cilësie të lartë, si dhe po heton disa persona të tjere.

Sa kushton një dokument i falsifikuar?

“Nga rezultatet paraprake të hetimeve, sa u përket pagesave, pagesat kanë qenë të ndryshme në varësi të dokumentit që kërkohen. Për kartën e identitetit pagesat kanë qenë deri në 300 euro, kurse për pasaportat janë më të kushtueshme”, thotë Marsel Dulaj, shef i Krimit Ekonomik.

Por, kush janë të interesuarit dhe për çfarë qëllimesh u nevojitet një letërnjoftim fals?

“Porositësit janë nga shtete të tjera, si Kosova dhe qëllimi është me destinacion Anglinë, Kanadanë dhe vende të tjera. Kemi të provuara disa karta identiteti italiane që ishin false me persona që janë shtetas të Shqipërisë apo Kosovës”, thotë Dulaj.

E megjithëse policia ka prova të pakundërshtueshme dhe prokuroria kërkoi masën e sigurisë arrest me burg, Gjykata e Tiranës vendosi t’i lerë në arrest shtëpie, Gezim Tafaj dhe Kujtim Osmanajn, të arrestuar në operacionin “Permeso”.

Top Channel