Evitoi katastrofën bërthamore, shuhet Stanislav Petrov

19/09/2017 00:00

Një ish-oficer i ushtrisë sovjetike, të cilit i atribuohet merita e evitimit të një katastrofe të mundshme bërthamore në kulmin e Luftës së Ftohtë, është ndarë nga jeta në moshën 77-vjeçare.

Stanislav Petrov ishte në detyrë, në një qendër ruse të paralajmërimit të kërcënimit bërthamor, në vitin 1983, kur kompjuterat gabimisht treguan raketa që vinin nga SHBA. Ai mendoi se ishte një alarm fals dhe nuk i raportoi te eprorët.

Veprimi i tij doli në dritë vite më pas, kur edhe u kuptua se kishte parandaluar një luftë të vërtetë bërthamore. Petrov vdiq në shtëpinë e tij në Moskë, në maj, por vdekja e tij u bë vetëm tani publike.

Në një intervistë për BBC-në në vitin 2013, ai kishte treguar sesi kishte marrë të dhënat e kompjuterave në orët e para të mëngjesit të 26 shtatorit 1983 dhe kishte vendosur të mos i raportonte.

“Mbeta si i ngrirë, nuk mund të lëvizja, më dukej sikur isha ulur mbi një zjarr”, thoshte ai.

Nëse do të kishte gabuar, shpërthimet e para bërthamore do të kishin ndodhur vetëm pak minuta më vonë.

“23 minuta më pas e kuptova se asgjë nuk kishte ndodhur. Nuk kishte pasur një sulm të vërtetë dhe ky ishte një çlirim”, kujtonte ai.

Një hetim i kryer më vonë arriti në përfundimin se, satelitët sovjetikë kishin identifikuar gabimisht dritën e diellit që reflektohej te retë, duke e paraqitur si raketë balistike ndërkontinentale.

Petrov vdiq më 19 maj, por lajmi për vdekjen e tij u bë i ditur vetëm këtë muaj, falë një telefonate rastësore. Producenti gjerman i filmave, Karl Schumacher, që e shfaqi në ekran historinë e tij, i kishte telefonuar për t’i uruar ditëlindjen më 7 shtator, por i biri i kishte treguar se ai ishte ndarë nga jeta.

FOTO GALERI
1/4

Top Channel