Gjyqi “Shullazi”, tjetër dëshmi: Na kërcënoi!

12/09/2017 00:00

Një tjetër dëshmitar i mbrojtur nga shteti, Besnik Musai, shofer i Ylvi Beqajt, rëndoi pozitat e Emiljano Shullazit dhe të bashkëgjendurve me të në të njëjtin proces penal.

27-vjeçari nga Durrësi është njëri nga 10 njerëzit më të ngushtë të dëshmitarit të mbrojtur Ylvi Beqja që ruhen nga policia sipas një marrëveshjeje të firmosur një vit më parë.

E megjithatë, siç rezultoi nga seanca e radhës, dy ditë më parë persona të dyshimtë ja kanë dalë mbanë të kërcënojnë njerëzit më të afërt të Beqajt për t’u tërhequr nga procesi.

Siç tha në seancë Besnik Musai, ditën e diel e ëma i është kërcënuar në banesë në rast se ai dëshmonte. Ata kanë kërcënuar edhe herë tjetër, shtoi Besnik Musai, jo vetëm për jetën, por edhe që do të hidhnin shtëpinë në erë.

Shoferi i Ylvi Beqajt, përveç marrëdhënies së punës ka gjithashtu edhe një lidhje tjetër me dëshmitarin e mbrojtur,  përderisa e motra njihet si bashkëjetuesja e Ylvi Beqajt.

Dëshmitari Musai kujtoi se ka qenë i pranishëm në episodin e dhurimit të ish-Vollgës para noteres Aida Spahiu dhe siç kujtoi kishte parë Gilmando Danin dhe Endrit Qyqen, të cilët kishin mbyllur qepenat.

Një moment ata dolën jashtë dhe pashë Emiljano Shullazin që i vendosi pistoletën në bark, kujtoi 27-vjeçari. Më pas mora vesh çfarë kishte ndodhur.

Dëshmitari kujtoi se ka shoqëruar Ylvi Beqajn kur në një lokal i ka dorëzuar 80 mijë euro gjobë Gilmando Danit, ndërkohë që në rastin e dytë shuma prej 70 mijë eurosh që duhej t’i jepej grupit nuk e dinte nëse ishte zbatuar apo jo.

Dëshmitari shtoi se ka bërë kallëzim për grupin, ndërsa me kërkesë të avokatëve pritet të ketë një ballafaqim tjetër mes Ylvi Beqajt dhe noteres Aida Spahiu, si edhe kësaj të fundit me Besnik Musain, duke qenë së noterja më herët pretendoi se akti i dhurimit ishte firmosur me vullnet të plotë nga palët.

Top Channel