Lirohet nga akuza për korrupsion, prokurori kërkon dëmshpërblim

11/09/2017 00:00

Prokurori Petrit Vukaj, i akuzuar që prej vitit 2015 për korrupsion, pas pafajësisë që i dha Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda i kërkon drejtësisë ta dëmshpërblejë për çdo ditë të mbajtjes së tij në paraburgim.

Me një kërkesë-padi, prokurori i Fierit i është drejtuar Gjykatës Administrative të Tiranës, duke paditur Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe Ministrinë e Financave kërkon dëmshpërblim financiar.

Vukaj thotë në padinë e tij se, “meqënëse jam deklaruar i pafajshem kërkoj të kompensohet burgimi i padrejtë”, ndërkohë që i kujton Gjykatës Administrative se ka qëndruar në arrest shtëpie 321 ditë, ndërsa 16 ditë të tjera është mbajtur në ambientet e paraburgimit me masën “arrest me burg”.

Prokurori i Fierit u gjykua nga Krimet e Rënda pas pretendimeve të organit të akuzës, që këmbënguli se ai ishte paguar 300 mijë lekë nga tre të dyshuar për të ulur dënimin ndaj Elton Xhemollarit, i arrestuar për aksident me pasojë vdekjen.

Shkalla e Parë e gjeti atë fajtor dhe e dënoi me 3 vjet shërbim prove, ndërkohë që Apeli shpalli pafajësinë pasi nuk e gjeti të bazuar në prova qëndrimin kundër prokurorit Vukaj.

Top Channel