Kryeprokurori izraelit, gati padinë për mashtrim ndaj Sara Netanyahut

08/09/2017 00:00

Kryeprokurori i Izraelit po konsideron paditjen e Sara Netanyahut, gruas së kryeministrit Benjamin Netanyahu, për mashtrim.

Në një komunikatë për shtyp, zyra e kryeprokurorit njoftoi se vendimi do të merret nga ky i fundit, në varësi të një seance paragjyqësore për gruan e kryeministrit.

Sara Netanyahu dyshohet se ka shpërdoruar rreth 100 mijë dollarë për festa, darka e shfaqje të tilla të ngjashme.

Megjithëse kryeministri Netanyahu i cilësoi absurde pretendimet kundër gruas së tij, komunikata e Avichai Mandelblit është e dhëna më e pastër, ndërsa shtohen dyshimet nëse ajo do të paditet apo jo.

Akuzat ndaj Sara Netanyahut kanë të bëjnë me shpenzime që dyshohet se ajo ka bërë në rezidencën zyrtare të kryeministrit.

Prokurorët thonë se gruaja e kryeministrit, bashkë me një zyrtar veteran, kërkuan shuma të mëdha për ushqime të përgatitura jashtë rezidencës dhe për punësimin e kuzhinierëve, nga shtatori 2010 deri në mars 2013, duke fshehur faktin se rezidenca kishte kuzhinierin e saj.

Kryeministri Netanyahu reagoi me zemërim ndaj asaj që ai konsideron prej kohësh një “gjueti shtrigash” të organizuar nga rivalët e tij politikë, e tha se shumë shpejt do të vërtetohet se familja e tij nuk ka shkelur asnjë ligj.

Top Channel