Gjermani, Gabriel parakalon Merkelin. Politikani më i pëlqyer

08/09/2017 00:00

Gjermania i drejtohet kutive të votimit më 24 shtator për të zgjedhur kreun e shtetit, në një garë mes Kancelares Angela Merkel, në pushtet prej 3 mandatesh dhe pretendente për mandatin e katërt, dhe rivalit Martin Schulz.

E si gjithmonë, periudha parazgjedhore karakterizohet nga sondazhe të ndryshme. Dy më të fundit, edhe pse janë mbajtur për tema krejtësisht të ndryshme, kanë rezultuar me dy rekorde.

Së pari, sondazhi i kryer nga “Infratest Dimap” për rrjetin televiziv “ARD” tregon se gjermanët janë më shumë të kënaqur me punën e ministrit të Jashtëm, Sigmar Gabriel, sesa me atë të Merkelit, duke shënuar kështu herën e parë për ish-kreun e socialdemokratëve (SPD).

Sondazhi i publikuar mbrëmjen e së enjtes tregoi se 66 për qind e atyre që u përgjigjën ishin “të kënaqur” ose “shumë të kënaqur” me Gabrielin, duke e renditur atë mbi Kancelaren Merkel, përqindja ndaj së cilës është në nivelin 63%. Ndërkohë, dhjetëshen e kandidatëve e mbyll me 10% Alice Weidel, udhëheqëse e partisë së ekstremit të djathtë “Alternativa për Gjermaninë” apo “AfD”.

Ndërkohë, rivali kryesor i Merkelit dhe udhëheqësi aktual i “SPD”-së, Martin Schulz qëndron në vendin e 6 me vetëm 39% të të anketuarve që janë shprehur të kënaqur me punën e tij, edhe pse në fakt ka një përmirësim me 6 pikë përqindjeje krahasuar me sondazhin e muajit gusht.

Duket se rritja e fuqishme e popullaritetit të Gabriel vjen si pasojë e vështirësive të Schulz për të rivalizuar Merkelin, e jo më për ta rrëzuar nga pushteti në zgjedhjet e 24 shtatorit.

Ndërsa sondazhi i dytë është ai mbi anëtarësimin e mundshëm të Turqisë në BE. Edhe pse Gjermania ka një komunitet jo të vogël shtetasish turq që jetojnë atje, një numër rekord gjermanësh e kundërshtojnë anëtarësimin e Turqisë, duke thënë se bisedimet me vendin europiano-aziatik duhet të përfundojnë. Ky sondazh është kryer nga “Deutschlandtrend”, sërish për rrjetin “ARD”.

Plot 84% e të anketuarve thanë se Turqia nuk i përket Bashkimit Europian, duke shënuar kështu normën më të lartë të përqindjes së refuzimit të regjistruar ndonjëherë në sondazhet gjermane.

Veç kësaj, 88% e gjermanëve dëshirojnë që qeveria federale gjermane të mbajë një qëndrim të ashpër ndaj Turqisë, një shifër që pëson rritje me 5 pikë përqindjeje krahasuar me sondazhin e muajit shkurt të këtij viti.

Një përqindje e lartë është edhe ajo e gjermanëve që besojnë se qeveria federale duhet të ndërmarrë sanksione ekonomike ndaj Turqisë, plot 77%, edhe pse rreth 80 për qind e gjermanëve mendojnë se qeveria gjermane duhet ta mbajë hapur dritaren e bisedimeve me administratën turke.

Dy vendet janë përfshirë në një ngërç diplomatik pas një serie incidentesh së fundi. Kjo çështje është bërë pjesë e fushatës zgjedhore në Gjermani, ku të dy kandidatët për Kancelar, Angela Merkel dhe Martin Schulz janë pyetur në lidhje me të gjatë debatit të fundit televiziv përpara zgjedhjeve të 24 shtatorit.

FOTO GALERI
1/2

Top Channel