Uragani “Irma” shkatërron Karaibet, i drejtohet Floridës

07/09/2017 00:00

Me erërat e tij që mbërrijnë shpejtësinë 295 km në orë, uragani “Irma” ishte shkatërrues për Karaibet. Banesa të tëra janë kthyer në gërmadha e 10 persona kanë humbur jetën.

Prej uraganit të kategorisë së pestë, niveli më i lartë i mundshëm, ishulli i vogël i Barbudës është pothuajse i pabanueshëm dhe territori francez i St. Martinit është rrafshuar gati krejtësisht. Plot 95% e banesave në Barbuda kanë pësuar dëme dhe dëshpërimi dallohej qartë në deklaratën e kryeministrit Gaston Browne.

“Është një shkatërrim total. I gjithë ishulli është praktikisht nën ujë. Në fakt, unë mendoj se nga sa paraqitet situata tani, atje zor se mund të banohet më”, tha Gaston Browne, kryeministër i ishullit të Barbudës.

Gati 50% e popullatës së ishullit është tani e pastrehë dhe rindërtimi i tij do të kushtonte plot 100 milionë dollarë. Antigua, ndërkohë, me 80 mijë banorë, i shpëtoi dëmtimit masiv dhe në këtë zonë nuk u regjistrua asnjë jetë e humbur.

Shkalla e dëmeve deri tani është disi më e qartë, por bilanci i viktimave mbetet provizor e ka gjasa të rritet më tej. Nuk dihet ende me saktësi se çfarë impakti mund të ketë “Irma” në tokën kontinentale amerikane, pasi është thuajse e pamundur të parashikohet qartazi trajektorja e uraganit, megjithatë zyrtarët presin që bregdeti i Floridës, nga ana e oqeanit Atlantik, ose nga ana e Gjirit të Meksikës, të goditet nga stuhia e dhunshme brenda 72 orësh.

Masat paraprake nisën me evakuimin e detyrueshëm të banorëve dhe turistëve në resortin “Florida Keys”. Fluturimet nga disa aeroporte të shtetit të rrezikuar amerikan janë pezulluar, e njëri prej tyre, ai i Orlandos, nga e shtuna pasdite bllokon dhe avionët tregtarë.

Uragani ka mbërritur në veri të Republikës Domenikane, ndërsa kaloi më parë në Puerto Riko, ku më shumë se gjysma e 3 milionë banorëve të tij kanë mbetur pa energji elektrike.

Top Channel