Shefi i FBI-së: Shtëpia e Bardhë nuk po ndërhyn në hetimin rus

07/09/2017 00:00

Drejtori i FBI-së, Christopher Wray deklaroi këtë të enjte se “nuk ka zbuluar asnjë grahmë ndërhyrjeje” nga Shtëpia e Bardhë në hetimin që po kryhet për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.

Duke folur për herë të parë publikisht që prej konfirmimit të tij në krye të Byrosë Federale të Hetimit, Wray shprehu gjithashtu besimin te Robert Mueller, prokurorin special që po heton nëse drejtues të fushatës së presidentit Donald Trump kanë bashkëpunuar me Rusinë gjatë zgjedhjeve.

“Mund të them me shumë besim se nuk kam zbuluar asnjë grahmë ndërhyrjeje në këtë hetim”, tha shefi i FBI-së gjatë një diskutimi në Samitin e Sigurisë Kombëtare dhe Inteligjencës të mbajtur në Uashington.

Wray u vu në krye të FBI-së pas shkarkimit të paraardhësit të tij James Comey nga Trump në muajin maj. Në një intervistë për “NBC” pas largimit të Comeyt, Trump pranoi se e kishte menduar seriozisht këtë “çështjen ruse” kur vendosi të shkarkonte në atë kohë shefin e FBI-së.

Comey deklaroi më vonë para Kongresit se, ai besonte që Trump ishte përpjekur ta detyronte atë të mbyllte hetimin e FBI-së ndaj ish-këshilltarit të Sigurisë Kombëtare, Michael Flynn, si pjesë e një hetimi më të gjerë ndaj përfshirjes ruse, një dëshmi që ngriti shumë dyshime nëse Trump vërtet po përpiqej të pengonte drejtësinë amerikane.

Shtëpia e Bardhë ka mohuar vazhdimisht se drejtuesit e fushatës së Trump kanë bashkëpunuar me Rusinë në zgjedhje. Këshilltarët dhe aleatët e Trump madje kanë dyshuar mbi pavarësinë dhe besueshmërinë e Mueller, e disa kanë thënë se ai po ngarkon me punë në këtë hetim disa prokurorë që kanë dhënë donacione për demokratët.

Por Wray tha se ka një “respekt të jashtëzakonshëm” për Mueller, edhe ky një ish-drejtor i FBI-së. Ai theksoi se Mueller po drejton hetimin, por FBI-ja po asiston me agjentë të dedikuar dhe me dhënien e mbështetjes së pakufijshme për hetimin.

Wray theksoi gjithashtu besimin e tij ndaj një raporti të muajit janar nga agjencitë amerikane të shërbimeve sekrete, që dilte në përfundimin se Rusia kishte ndërhyrë në zgjedhjet e 2016-s dhe se është përpjekur të favorizojë zgjedhjen e Trump, një konkluzion që shefi i Shtëpisë së Bardhë shpeshherë e ka vënë në diskutim.

Përpara se të konfirmohej si drejtor i FBI-së, Wray kishte lexuar vetëm një version të paklasifikuar të këtij raporti. “Nuk kam asnjë arsye të dyshoj mbi përfundimet e atyre njerëzve punëtorë, që së bashku kanë arritur deri në këtë raport”, tha Wray.

Top Channel