Refugjatët, Mjekët pa Kufij: BE po sponsorizon torturat në Libi

07/09/2017 00:00

Një valë akuzash të rënda kanë vërshuar në adresë të Bashkimit Europian nga organizata Mjekët pa Kufij, në lidhje me planin për emigrantët.

Organizata joqeveritare ka denoncuar se personat që ndalohen në Libi për të mos u lejuar nisjen drejt brigjeve të Evropës bëhen objekt abuzimesh, që asnjë vend europian nuk mund t’i pranojë.

Në një letër të hapur drejtuar sot vendeve anëtare dhe institucioneve të Unionit, presidentja e MpK, Joanne Liu ka shkruar se: “Qeveritë europiane po ushqejnë biznesin e torturave në Libi”.

Në letrën në fjalë denoncohet vendosmëria e Europës për të bllokuar me çdo kusht refugjatët që nisen nga Libia dhe kërkohet marrja e masave që abuzimet ndaj njerëzve që mbahen në qendrat e burgimit të marrin fund sa më shpejt.

“Drama që emigrantët dhe refugjatët po përjetojnë në Libi duhet të trondisë ndërgjegjen kolektive të qytetarëve dhe të liderëve të Europës. Të verbuar nga qëllimi për të mbajtur larg Europës njerëzit, politikat dhe financimet europiane po kontribuojnë në ndaljen e varkave që nisen nga Libia, por njëkohësisht po ushqejnë një sistem kriminal abuzimesh”, thuhet në letër.

Mjekët pa Kufij vë në dukje se, reduktimi i nisjeve të refugjatëve nga brigjet libiane është konsideruar një sukses nga vendet e BE-së, por organizata shton se në Libi po ndodhin gjëra të tmerrshme.

“Ja pse kjo festë për ndalimin e refugjatëve është në rastin më të mirë një hipokrizi e pastër, ose, në rastin më të keq, një bashkëpunim cinik me bizneset kriminale”, shton MpK.

Top Channel