OKB-ja e fajësoi për sulme kimike, Izraeli “ndëshkon” Sirinë

07/09/2017 00:00

Ushtria siriane tha se avionë ushtarakë izraelitë bombarduan një bazë të saj në perëndim të vendit, impiant ku Perëndimi dyshon se prodhoheshin armë kimike.

Sipas një komunikate të ushtrisë siriane, raketat erdhën nga hapësira ajrore libaneze, e goditën gjithashtu një postbllok ushtarak, duke vrarë dy ushtarë.

Sipas grupeve monitoruese në Siri, raketat goditën një qendër shkencore dhe një bazë ushtarake pranë saj, ku magazinoheshin raketa.

Izraeli, i cili ka kryer dhjetëra sulme “klandestine” në Siri më parë, nuk i komentoi këto pretendime. Një zëdhënës i ushtrisë izraelite tha se, ushtria nuk e ka zakon që të japë sqarime për çështje operacionale.

Sulmi, për të cilin Damasku e drejton gishtin nga Izraeli, vjen një ditë pasi hetuesit e OKB-së fajësuan drejtpërdrejt regjimin e Bashar al-Assadit për dhjetëra sulme me armë kimike ndaj popullsisë civile.

Mes shumë incidenteve, OKB-ja fajësoi ushtrinë siriane edhe për sulmit tragjik në Kan Sheikun me gaz sarin, ku u vranë mbi 80 civilë në muajin prill. Regjimi i Bashar al-Assadit i ka mohuar akuzat për përdorimin e armëve kimike, ndërsa vet presidenti i Sirisë tha se ato janë sajuar nga kundërshtarët e vendit.

Top Channel