Madridi kërkon bllokimin e referendumit katalanas

07/09/2017 00:00

Kryeministri spanjoll Mariano Rajoy tha se do t’i kërkojë Gjykatës Kushtetuese që të anulojë një ligj të miratuar nga Parlamenti rajonal katalanas për të mbajtur një referendum për pavarësinë e kësaj krahine.

Referendumin e planifikuar për më 1 tetor, Rajoy e cilësoi të jashtëligjshëm. Aktualisht, krahina e Katalunjës gëzon autonomi, por qeveria rajonale thotë se ka mbështetjen popullore për ndarjen e plotë.

“Çfarë s’është e ligjshme, është edhe antidemokratike. Ligji i miratuar nga Katalunja është një akt i papranueshëm mosbindjeje dhe do t’i kërkojmë Gjykatës Kushtetuese ta anulojë”, tha Mariano Rajoy, kryeministër i Spanjës.

Rajoy shtoi se të gjithë këshillave lokale do t’u kujtohet detyra e tyre për të penguar ose paralizuar referendumin.

Më herët, kryeprokurori spanjoll Jose Manuel Maz tha se do të padisë deputetët katalanas dhe anëtarët e qeverisë katalanase për firmosjen e ligjit, ndërsa shtoi se i ka kërkuar forcave të sigurisë të marrin vesh se çfarë përgatitjesh kanë bërë autoritetet në Katalunjë për referendumin.

Parlamenti rajonal i Katalunjës miratoi të mërkurën vonë ligjin për referendumin, duke bërë gati fushëbetejën e radhës me Madridin zyrtar.

Top Channel