Katalunja do pavarësi. Kuvendi miraton referendumin më 1 tetor

07/09/2017 00:00

Pas sulmeve të muajit gusht në Barcelonë e Cambrils u hodhën parulla të tilla si “Katalunjës i duhet Spanja” apo “Tani lipset përvoja e shtetit spanjoll kundër terrorizmit”. Rajoni, sipas disa zërave të ngritura ato ditë, kishte një problem sigurie që do të godiste edhe përpjekjet e tij për pavarësi.

Por nuk nuk ndodhi kështu. Të mërkurën, Parlamenti i Katalunjës votoi për mbajtjen e referendumit të pavarësisë më 1 tetor, duke sfiduar kështu hapur Madridin zyrtar, që zotohet ta pengojë votimin e konsideruar prej tij si të paligjshëm.

Pas 12 orësh debati kaotik, shumica e ligjvënësve në sallë i dhanë “dritën jeshile” referendumit dhe kornizës ligjore për ngritjen e një shteti të ri, në kuadrin e të cilit Asambleja do të shpallë shkëputjen 48 orë pas një vote “po”.

Ligjvënësit kundërshtarë të pavarësisë e braktisën Parlamentit përpara votimit, e një pjesë e tyre lanë flamuj katalanas në karriget e mbetura bosh. Ndërsa fitimtarët e drejtuar nga kreu rajonal, Carles Puigdemont, kënduan himnin kombëtar të Katalunjës pas numërimit të votave.

Sondazhet e realizuara së fundi në rajonin verilindor tregojnë një zbehje të mbështetjes për vetëqeverisje, tani që ekonomia spanjolle po përmirësohet. Pjesa dërrmuese e katalanasve e dëshirojnë, megjithatë, mundësinë që të hedhin votën e tyre, pro apo kundër ndarjes nga Spanja.

Në përpjekje për të frenuar këtë shkëputje, Madridi zyrtar i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese ta shpallë refendumin të pavlefshëm. Sipas Kushtetutes spanjolle, vendi është praktikisht i pandashëm.

Top Channel