Francë, zbulohet plani terrorist. Do të sulmoheshin me bomba bankat

07/09/2017 00:00

Alarmi i rastësishëm i një tregtari lokal në Francë ka ekspozuar një komplot të gjerë terrorist për vendosje bombash nëpër banka.

Ministri i Brendshëm francez, Gérard Collomb sqaroi se policët ishin drejtuar të shkonin në një apartament të lagjes jugore të Parisit, “Villejuif”, ku kanë gjetur 100 g eksploziv “TATP”, një ndër më të rrezikshmit që ekzistojnë, si dhe disa kimikate.

Tre persona janë vënë në pranga, por ata mohojnë të kenë pasur ndonjë qëllim terrorist, e për verifikime të mëtejshme, autoritetet janë duke kontaktuar përmes telefonit me persona në Siri.

“Ata kanë dashur të hedhin në erë banka me këtë lloj lënde të fortë shpërthyese, e nga ajo që ne shohim kanë lidhje me terroristët, ndaj dhe hetimi ynë do të përqëndrohet në këtë drejtim”, deklaroi Collomb për televizionin “FranceInfo”.

“TATP”-ja, apo “triaceton triperoksid”, preferohet nga xhihadistët për shkak se është relativisht i lehtë për t’u prodhuar. Një eksploziv i tillë u përdor nga agresorët në Paris dy vite më parë, e gjurmë të tij u gjetën muajin e kaluar edhe në gërmadhat e shtëpisë së shkatërruar në verilindje të Spanjës, në vigjiljen e sulmit të Barcelonës.

Top Channel