
Për të dytin vit The Head Hunter ka dhënë çmimet për 10 kompani shqiptare në kuadër të indeksit për Barazi dhe Punësim të komunitetit LGBTIQ.
Indeksi paraqitet për herë të dytë në Shqipëri dhe në Europën Lindore dhe është një sistem i cili rendit kompanitë të cilat mbrojnë dhe përkrahin të drejtat dhe dinjitetin e punëkërkuesve dhe të punësuarve të këtij komuniteti.
“Kompanitë janë të hapura, kanë punësuar persona të komunitetit”, u shpreh Elton Iliriani, drejtor ekzekutiv “The Head Hunter”.
Në këtë mbrëmje gala morën pjesë disa prej ambasadorëve më të rëndësishëm të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, ndërmjet të cilëve edhe ambasadori i SHBA-ve Donald Lu dhe ajo e Bashkimit Evropian Romana Vlahutin.
“Sot u ofrojmë mbështetje tonë udhëheqësve shqiptarë që kanë folur hapur në mbështetjeve të të drejtave të LGBT-së. Përfshirë Edi Ramën, Sali Berishën, drejtuesve të OJQ-ve dhe korporatave të Shqipërisë. Tani Shqipëria ka nevojë për veprime konkrete që përputhen me këto fjalë”, u shpreh Donald Lu, ambasador i SHBA.
“Vlerat tuaja janë thelbësore për Bashkimin Europian, ju e dini që nuk jeni vetëm, por dua ta dini se sa shumë jemi krenar për ju”, u shpreh Romana Vlahutin, ambasadorja e BE.
Në krahasim me vitin e parë të nismës, ku u përfshinë 71 kompani, në këtë vit të dytë u anketuan plot 109 kompani shqiptare nga industri të shumta, të cilat u shprehën të gatshme për të marrë pjesë në këtë hulumtim.
Në mbrëmjen gala u shpërndanë tre certifikata mirënjohje dhe përkatësisht çmimet bronz, argjend dhe ar.
Top Channel