“Irma” rrafshon kolonitë franceze në Karaibe

06/09/2017 00:00

Uragani “Irma” u ka shkaktuar dëme kolosale ishujve francezë në Karaibe dhe dyshimet për viktima janë të forta.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë presidenti francez Emmanuel Macron. “Impakti i uraganit në ishujt Saint Martin dhe Saint Bart ka qenë shkatërrues dhe mizor”, ka deklaruar Macron.

Dëme raportohet të jenë shkaktuar edhe në seksionin holandez të Saint Martin. Uragani i kategorisë së pestë, niveli më i lartë i mundshëm, ka vërshuar me shpejtësi që arrijnë deri në 295 kilometra në orë.

Ministri i Brendshëm francez, Gerard Collomb deklaroi më herët se “Irma” kishte shkaktuar përmbytje të mëdha dhe shkatërruar ndërtesa, përfshirë 4 godina nga “më solidet” në Saint Martin.

Stuhia më e fuqishme në Atlantik në një dekadë goditi të parën Antiguan dhe Barbudën, përpara se të lëvizte drejt kolonive franceze, të njohura si lokalitete popullore turistike.

Qeveria franceze deklaroi më herët se ishte e shqetësuar për disa mijëra banorë që kishin refuzuar të kërkonin strehim.

Për momentin nuk ka të dhëna të sakta për numrin e viktimave, por autoritetet në territorin tjetër francez të Guadelupes deklaruan se bilanci nuk do të jetë i ulët.

Top Channel