SHBA në OKB: Kim Jong-un po lutet për luftë

05/09/2017 00:00

Kim Jong-un, praktikisht po lutet për luftë. Në mbledhjen urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ambasadorja e Shteteve të Bashkuara Nikki Haley argumentoi se, me testin e tij të fundit dhe më të fuqishmin deri tani të një bombe bërthamore, Peniani po e kërkon vet konfliktin.

“Amerika, – tha Haley, – nuk e dëshiron luftën, por edhe durimi ynë e ka një kufi”.

Uashingoni po përgatitet të paraqesë një rezolutë të re me sanksione edhe më të ashpra sesa deri më tani ndaj vendit problematik.

Kina, aleatja kryesore e Veriut komunist bën thirrje për rikthim në tryezën e negociatave dhe Zvicra është ofruar të ndërmjetësojë bisedimet.

Tensionet janë të larta, siç u pa qartë edhe nga simulimi i stërvitjes ushtarake me municione të vërteta të Koresë së Jugut një ditë më parë, i pasuar nga manovra detare dhe paralajmërimi se, nëse provokohen nga trupat e shtetit fqinj, do të reagojnë menjëherë e do t’i “varrosin në det”.

Raporte të ndryshme, ndërkohë, lënë të kuptohet se Peniani po përgatit testime të reja raketash. Bomba e shpërthyer nëntokë të dielën mendohet të ketë pasur një fuqi nga 50 deri në 120 kilotonë.

Një bombë 50 kilotonëshe ka përmasa 3 herë më të mëdha sesa ajo që shkatërroi Hiroshimën në vitin 1945. Sanksione më të ashpra kërkon edhe Kancelarja gjermane, Angela Merkel, e cila ra dakord me masa shtesë ndaj Penianit gjatë një bisede telefonike me presidentin Trump.

Ndërkohë, Japonia po planifikon evakuimin e 60 mijë shtetasve të saj, që jetojnë në Korenë e Jugut apo janë duke e vizituar këtë vend, në rast se lufta do të nisë vërtet.

Top Channel