Dosja e vrasësit të gjyqtares, prokurori nuk hetohet

04/09/2017 00:00

“Ata janë përleshur fizikisht me njëri-tjetrin, e aty fillimisht ka ndërhyrë djali i tyre, i cili ka parë të atin të hapë çantën e të tentojë të nxjerrë prej andej një send, që ka qenë pistoletë, por që nuk e ka nxjerrë atë”.

Kështu përshkruan zyrtarisht prokurori i çështjes skenën kur Fadil Kasemi tentoi në korrik të 2015-s të vrasë ish-bashkëshorten, Fildes.

Megjithëse dy vjet më parë Fadil Kasemi u arrestua në flagrancë, ndaj tij në gjykatë u adresuan vetëm akuzat e armëmbajtjes pa leje dhe të dhunës në familje  dhe jo ajo e vrasjes së ngelur në tentative dhe ndërsa për gjyqtarët që dënuan asokohe Fadil Kasemin ka nisur inspektimi, ndaj prokurorëve që e hetuan këtë ngjarje nuk ka nisur asnjë verifikim.

Mesa duket shkak është një vendim i Gjykatës Kushtetuese numër 34 ndaj njërit prej ligjeve të reformës, atij për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Në lexim të këtij vendimi të datës 10 prill, Prokurori i Përgjithshëm nuk mund të nisë verifikime, apo procedimin disiplinor ndaj vartësve të tij, ndonëse në referim të dispozitës kalimtare të këtij ligji numri një i akuzës ka kompetenca të urdhërojë hetime për shkeljet e prokurorëve derisa të ngrihet Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë.

Katër nenet që janë shfuqizuar mbulojnë procedimin dispilinor, duke bërë të pamundur inspektimin e një prokurori.

Në rastin e procesit ndaj ish-burrit të gjyqtares, një procedim i tillë do të hidhte dritë mbi enigmën nëse u hetua apo jo mjaftueshëm dosja e Fildes Hafizit.

Top Channel