“Shfarosja” e myslimanëve në Mianmar, dalin nga lumi trupat e pajetë

31/08/2017 00:00

Trupat e 20 myslimanëve “Rohingya” janë nxjerrë këtë të enjte nga një lumë përgjatë kufirit të Mianmarit me Bangladeshin, përmes të cilit kanë marrë arratinë me mijëra vetë gjatë kësaj jave.

Të paktën 18.500 myslimanë, nga popullsia kryesisht indo-ariane, janë detyruar të lënë shtëpitë e tyre në shtetin Rakhine të Mianmarit që prej së premtes së kaluar, një statistikë e publikuar nga Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM).

Eksodi masiv nisi fundjavën e kaluar pasi qeveria e Mianmarit intensifikoi “operacionet e spastrimit” pas një sulmi nga militantët “Rohingya” ndaj një postblloku kufitar, që la 12 oficerë sigurie të vdekur.

“Rohingya”, një minoritet myslimanësh në Mianmarin e dominuar kryesisht nga budistët, konsiderohen si njerëzit më të persekutuar të botës. Mianmari, i njohur më parë edhe si Burma, i konsideron ata si të ardhur nga Bangladeshi, ndërsa vet Bangladeshi thotë se ata janë burmezë.

Trupat e 12 fëmijëve dhe 8 të rriturve u nxorën mëngjesin e së enjtes nga lumi Naf, tha për CNN-in Ariful Islam, komandant i Rojes Kufitare të Bangladeshit në Teknaf. Ai shtoi se trupat mund të kenë qenë në një varkë që mund të jetë mbytur, teksa njerëzit përpiqeshin të kalonin lumin për t’u arratisur në Bangladesh.

“Situata është e tmerrshme. Pjesëtarët e komunitetit Rohingya janë duke ardhur të gjithë këtej, duke marrë arratinë nga Mianmari”, tha ai. “Kemi parë tym në krahun tjetër të kufirit, kemi dëgjuar të shtëna armësh, ata qëllojnë shpesh. Intensiteti i këtij fluksi njerëzish po vjen duke u rritur nga dita në ditë”.

Shefi i Rojes Kufitare thotë se ekipi i drejtuar prej tij po pengon refugjatët “Rohingya” të mbërrijnë në Bangladesh, për të parandaluar atë që e quan “shkelje të paligjshme kufiri”. Ai përllogarit se ka kthyer të paktën 1.000 persona mbrapsht në Mianmar që prej përplasjeve që nisën javën e kaluar.

Media shtetërore e Mianmarit njoftoi të martën se mbi 110 persona kanë vdekur që pas “sulmeve të koordinuara të së premtes nga terroristet ekstremistë”.

Të mërkurën, kreu i grupit militant “Arakan Rohingya Salvation Army” akuzoi autoritetet e Mianmarit për krime ndaj njerëzimit, përfshi vrasjen e fëmijëve dhe hedhjen e trupave të tyre në lumenj, ngacmimet seksuale të grave dhe djegien e shtëpive të tyre.

Dhuna shpërtheu javën e kaluar, vetëm pak orë pas bërjes publik të një raporti të shumëpritur mbi trajtimin e “Rohingyas”-ve nga Komisioni Këshillues i shtetit Rakhine, i udhëhequr nga ish-Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Kofi Annan. Raporti paralajmëronte se trazirat në Rakhine mund të dilnin jashtë kontrollit, për sa kohë nuk merreshin urgjentisht masa.

“Tensionet mbeten të larta dhe rrezikojnë të përkeqësohen, – tha Annan. – Status quo-ja atje nuk mundet kurrsesi të vijojë”.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara zhvilloi bisedime me dyer të mbyllura të mërkurën, pas kërkesës së Britanisë së Madhe për të adresuar dhunën e përshkallëzuar në Mianmar. Mattheë Rycroft, ambasadori britanik në OKB, tha për reporterët se rezistenca nga disa vende nënkuptonte se arritja e konsensusit për ndërhyrje nga organizmi mbarëkombëtar është i vështirë. Pas diskutimeve nuk u lëshua asnjë deklaratë.

Top Channel