Kontrolli i zonës bregdetare, policia jep detajet e operacionit

31/08/2017 00:00

Kontrolli i zonës bregdetare i nisur tri ditë më parë nga Policia e Shtetit përfundon mbrëmjen e kësaj të enjte. Operacioni i zhvilluar nga toka, ajri, dhe deti është i shtrirë nga grykëderdhja e Bunës deri në Kepin e Qefalit në Butrint.

Në këtë operacion janë përfshirë 1140 forca policore, 10 mjete lundrues , 30 automjete si dhe helikopteri i policise.

Gjatë operacionit janë sekuestruar rreth 900 kilogramë lëndë narkotike Cannabis Sativa, 102.4 gramë lëndë e dyshuar Kokainë, si dhe janë arrestuar 8 persona për trafik të lëndëve narkotike. Gjithashtu, janë kapur 32 persona në kërkim, janë sekuestruar dy mjete lundruese pa dokumentacion, 6 armë zjarri, 2987 fishekë.

Në këtë operacion marrin pjesë strukturat e Drejtorive Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë, Durrës, dhe Shkodër.

Në mbështetje të veprimeve të tyre janë angazhuar forcat e Komisariateve të Ndërhyrjes së Shpejtë Shkodër, Tiranë, Fier, Njësia Speciale “Delta”, QNOD-ja dhe Reparti i Helikopterëve.
 
Veprimet në hapësirën detare po mbështeten edhe nga Nukli i Kufirit Detar të “Guardia di Finanza” Durrës e Vlorë, QNOD dhe Rojen Bregdetare.

Operacioni policor po kryhet në gjithë zonën bregdetare të vendit tonë dhe në hapësirën detare,  në rrugët nacionale dhe rurale që të çojnë në bregdet dhe në Pikat e Kalimit kufitar.

Top Channel