Ndërtimet pa leje, shkarkohet shefi i Komisariatit 2 në Tiranë

24/08/2017 00:00

Pas furtunës në Komisariatin nr. 1, një tjetër ndërtim pa leje “shkriu” edhe Komisariatin nr. 2 në kryeqytet.

Shefi i komisariatit Ylli Doda u shkarkua nga detyra së bashku me shefin e policimit në komunitet dhe dy specialistët për rendin dhe krimet që mbulonin zonën. Bëhet fjalë për ndërtimin pa leje të një bar-kafeje në rrugën “Muhamet Gjollesha”, ndërsa të arrestuar përfunduan oficeri i policisë për krimet po në Komisariatin nr. 2, Roland Skënderi dhe inxhinieri i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit, Shyqyri Gega.

Sipas policisë, punimet pa leje janë kryer nga oficeri i vënë në pranga, ndërsa operacioni i koduar “Ndërtimi 3” u realizua vetëm pak ditë pas kritikave që kryepolici Haki Çako u drejtoi vartësve për neglizhencë ndaj veprave penale që lidhen me regjimin e tokës. Sipas hetimeve, Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit, edhe pse ka marrë dijeni për këtë ndërtim pa leje, nuk ka nxjerrë vendim për prishjen e tij, por e ka lejuar duke u mjaftuar me pezullim të punimeve pa njoftuar policinë, veprime që kanë sjellë pasoja ndaj banorëve të pallatit.

Ndërkohë, për ndërtimin e një lavazhi pa leje në zonën e Liqenit Artificial, Gjykata e Tiranës caktoi me kërkesë të prokurorisë masën e sigurisë “arrest shtëpie” për 51-vjeçaren Shiqere Hakaj. Para togave të zeza ajo u shpreh se është pa punë dhe nuk ka bërë ndërtim pa leje dhe se lavazhi ka qenë më parë funksional. Për këtë rast, pak ditë më parë u pezullua shefi i Komisariatit nr. 1, Albert Xhaxho, u përjashtua nga policia efektivi që mbulonte zonën si dhe u pezullua edhe patrulla që monitoronte atë territor ku kryhej ndërtimi.

Top Channel