Tiranë, kapet i dënuari me 10 vite burg. Në kërkim ndërkombëtar

20/08/2017 00:00

Policia e Tiranës ka arrestuar një person, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe rezulton i dënuar me 10 vite burg nga shteti italian.

Arrestimi i Athanas Xhuvelit, 23 vjeç, u bë i mundur në sajë të operacionit të koduar “Weekend”, mbi bazën e informacioneve që zotëronte policia se ky shtetas dispononte armë zjarri dhe lëndë narkotike.

Xhuveli u kap teksa drejtonte automjetin e tij në rrugën “5 Maji” në kryeqytet, pa leje përkatëse drejtimi.

Gjatë kontrollit të mëtejshëm në ambientet e banesës së marrë me qira prej tij u gjetën dhe u sekuestruan një pistoletë e kalibrit 9 mm, një sasi lënde narkotike e llojit cannabis sativa, një peshore elektronike, një maskë e zezë dhe dy palë doreza, të cilat i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë.

Ai pritet të akuzohet për veprat penale “prodhim e mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, “prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike” dhe “drejtim i automjetit në mënyrë të parregullt”.

Top Channel